Nga Suad Saliu
Qëndrimet e funksionarëve shqiptarë në Maqedoni, të cilët prej vitesh pozicionohen sikur të ishin faktor ndërkombëtar e jo përfaqësues politikë të popullit të vet, nuk burojnë vetëm nga moskompetenca apo nga mungesa e filozofisë politike të tyre dhe të organizatave politike prej nga vijnë. Ato janë edhe pasojë e një inferioriteti të thellë ndaj elitës politike maqedonase dhe diskursit serb që prej dekadash kultivon kuazi “ekspertizë”, kuazi “shkencë” dhe autoritete të rreme pikërisht për këtë qëllim.
Në këto momente historike, rëndësi ka qëndrimi pothuajse unanim i klasës politike të Kosovës, nga Qeveria te partitë kryesore, se lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare e një populli që po përballej me represionin, krimet dhe spastrimin etnik të aparatit shtetëror serb dhe se prokuroria ka bërë akuzë të padrejtë. Këtë kontekst historik e kanë dëshmuar fuqishëm edhe figura ndërkombëtare të kohës gjatë këtij procesi.
Përballë kësaj, pak rëndësi kanë ata që, për tu dukur “objektivë” para të tjerëve, bëhen më të zellshëm se vetë kundërshtarët e historisë sonë.
Në momente të tilla nuk kërkohet neutralitet i rremë, por vetëdije historike dhe dinjitet politik. Historia nuk do të mbajë mend kush u fsheh pas titullit të ekspertit, por kush pati kurajën të qëndrojë në anën e së drejtës së popullit të vet.
Liria është e shenjtë. Për Kosovën, ajo ka emër të madh. UÇK!


