Migrimi dhe arsimi profesional ndryshojnë hartën e regjistrimeve

Të dhënat e institucioneve kompetente thonë se mbi 35 nxënës që përfunduan shkollimin fillor në shkollat fillore të Dibrës, këtë vit të ri shkollor janë regjistruar në disa shkolla të mesme profesionale në Strugë, Gostivar, Tetovë dhe Shkup

Në Shkollën e Mesme Komunale “28 Nëntori” në Dibër, procesi arsimor ka filluar pa probleme, ndërsa numri i nxënësve në vitin e parë është përafërsisht i njëjtë me vitet e kaluara. Këtë vit, në paralelet në gjuhën shqipe dhe maqedonase janë regjistruar gjithsej 135 nxënës. Planet e Ministrisë për regjistrimin e nxënësve në vitet e para prej më shumë se një dekade nuk mund të plotësohen, për shkak të emigrimit masiv të popullatës. Po ashtu, duhet theksuar edhe fakti se edhe këtë vit shkollor, të dhënat zyrtare të institucioneve përkatëse tregojnë se një numër i semimaturantëve dibranë janë regjistruar në shkolla profesionale në disa qytete fqinje të Dibrës.

Këtë e pohojnë edhe në drejtorinë e gjimnazit “28 Nëntori” në Dibër, ku sqarojnë se kjo ndodh pothuajse çdo vit, meqë prindërit dhe nxënësit nga Komuna e Dibrës kanë dëshirë të vazhdojnë shkollimin e mesëm profesional, me qëllim që pas përfundimit të shkollimit të mesëm të gjejnë sa më shpejt punësim.

Drejtori i Shkollës së Mesme Komunale “28 Nëntori”, Argëtim Trepça, për gazetën KOHA thotë se në vitin e parë, këtë vit shkollor, janë regjistruar gjithsej 135 nxënës, nga të cilët 97 në paralelet në gjuhën shqipe dhe 38 në paralelet në gjuhën maqedonase. “Stafi arsimor është komplet dhe viti i ri ka filluar pa probleme. Shkolla disponon me kushte shumë të mira dhe nuk kemi probleme. Shkollimi i mesëm në Dibër tashmë ka një traditë shumë të gjatë dhe pjesa dërrmuese e maturantëve vazhdojnë shkollimin e lartë në universitetet e vendit, po edhe jashtë vendit. Me programin e Ministrisë për Arsim ishte paraparë regjistrimi në shkollën e mesme të Dibrës i 236 nxënësve në të dy gjuhët, por tashmë, për shkaqe të njohura të emigrimit të popullatës gjatë dekadave të fundit, ka një ulje të numrit të nxënësve si në shkollat fillore, ashtu edhe në shkollën e mesme”, thotë drejtori Argëtim Trepça.

Në shkollën e vetme të mesme në Dibër, “28 Nëntori”, prej më shumë se një dekade ka pasur kërkesa për mësim edhe në paralele profesionale, por deri tani punohet me programet e shkollës së gjimnazit të përgjithshëm. Të dhënat e institucioneve kompetente thonë se mbi 35 nxënës që përfunduan shkollimin fillor në shkollat fillore të Dibrës, këtë vit të ri shkollor janë regjistruar në disa shkolla të mesme profesionale në Strugë, Gostivar, Tetovë dhe Shkup. Bëhet fjalë për regjistrime në shkollat e mesme të mjekësisë dhe ndërtimtarisë.