Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë pritet të japë verdiktin për katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët ndodhen prej rreth gjashtë viteve në paraburgim.
Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në intervistë për Klan News me gazetarin Besard Jacaj foli për këtë proces, i cili është ndjekur me një ndjeshmëri tepër të lartë në të gjithë vendet ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.
Ai theksoi se ky proces gjyqësor i ka rrënjët te akuzat e pavërteta dhe “monstruoze” të bëra nga e ish-senatori zviceran, Dick Marty, i cili pretendonte se UÇK-ja ishte e përfshirë në trafik organesh, pretendime këto që janë hedhur poshtë nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të inkurajojmë bashkëluftëtarët tanë që këtë gur, që këtë të keqe, dhe këtë të shpifje monstruoze, që e ka bërë Dick Marty të përballemi edhe me drejtësinë. Llogarisni ju në çfarë situate ka qenë Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ne kemi qenë të vetëdijshëm, edhe z. Thaçi edhe z.Veseli, kanë qenë të vetëdijshëm se mund të ndodhë që edhe ata të përballen dhe ashtu ndodhi, sepse duhet bërë sakrificë, sepse UÇK nuk ka qenë ndërmarrje kriminale , por ka qenë ushtri çlirimtare dhe UÇK ka qenë në një situatë tepër tepër të vështirë për të kontrolluar situatën, sepse ka mundur të ndodhin zhvillime të papritura, duke parë njerëzit gjithë ato krime që kanë bërë bandat serbe, duke vrarë fëmijë, gra dhe pleq, duke dhunuar gra, duke i varrosur të gjallë nëpër varreza, kështu që i është dashur një angazhim i jashtëzakonshëm UÇK-së për ta kontrolluar këtë situatë që të mos shndërrohej në një luftë hakmarrëse. Lufta jonë ka qenë çlirimtare. Ne kemi respektuar të gjitha dokumentet ndërkombëtare mbi luftërat.
Shpresoj që prokuroria dhe gjykata të kenë parasysh rëndësinë e këtyre zhvillimeve historike, sepse këtu mund të pasojë, sot dënohet… hipotetikisht po flas UÇK-ja, drejtuesit e saj, nesër mund të hapet një dosje për SHBA-të, për NATO, për BE, sepse pa ndihmën e NATO-s, pa ndihmën e Amerikës dhe aleatëve, të cilët aderonin në NATO, sigurisht që ne të vetëm nuk do arrinim ta çlironim Kosovën. Lirinë e kemi fituar me gjak, e kemi larë me gjak, por çlirimin e kemi bërë me aleatët tanë, të cilëve duhet t’iu jemi mirënjohës në jetë të jetëve.”, tha ai.
Ai pyet edhe për një çështje tjetër, e cila lidhet me qëndrimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili nuk mori pjesë në marshin e zhvilluar dje në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Ahmetit, këtë vendim Kurti mund ta ketë marrë nga “frika” e ndonjë vërshëllime të mundshme, nga të pranishmit në marshim.
“Mosprezenca e z. Kurti në marshin e djeshëm…mendoj se ka qenë i kujdesshëm, sepse unë mendoj kështu, ky është vlerësimi im, që mbase mund të ketë menduar se mund të ketë reagime prej njerëzve që ishin të pranishëm në shesh, por kishte deputetë nga VV. Ka patur mundësi, që nga dikush mund të fishkëllehej”, tha ai.
Megjithatë, Ahmeti u shpreh se beson fort se Gjykata Speciale do ketë përgjegjësinë e madhe për të dhënë një vendim të drejtë për ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin.
Ai theksoi se në vendim jo i drejtë, ka shumë gjasa që mund të çojë në ndryshim të rrjedhave historike dhe ky tregues shtoi Ahmeti duhet mbajtur parasysh në rastin e ish-drejtuesve të UÇK-së, për të cilët insistoi se kanë zhvilluar një luftë të drejtë.
“Kisha dashur që e drejta të dalë në shesh dhe kjo është në kompetencë të gjykatës. Gjyqtarët duhet të kenë dhe kanë përgjegjësinë më të madhe, sepse unë frikësohem shumë se do të ndikojë për ndryshim të rrjedhave, sepse ne kemi investuar shumë për paqen, stabilitetin, sigurinë, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Nëse Kosova ka dhimbje, atë dhimbje e ndjejnë të gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, sepse e njëjta plagë u shkaktohet shqiptarëve. Kështu duhet patur parasysh se Kosovës duhet t’i garantohet e ardhmja”, tha ai.


