Analisti Sefer Selimi ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me Gjykatën Speciale në Kosovë, duke e akuzuar ministrin se po përpiqet të mbulojë deklaratën e tij të mëparshme, por, sipas Selimit, vetëm sa po e thellon polemikën.
Selimi thekson se Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe se, sipas tij, vendimi është marrë edhe me insistimin e atyre që sot përballen me këtë gjykatë.
“Gjykatën Speciale e themeloi Kuvendi i Kosovës, me insistimin edhe të atyre që sot po përballen me të dhe me rekomandimin e fuqishëm të miqve ndërkombëtarë që mbështetën çlirimin e Kosovës, pavarësinë dhe njohjen e saj ndërkombëtare”, ka shkruar Selimi.
Sipas tij, themelimi i Gjykatës Speciale ishte një vendim që ai e konsideron të përgjegjshëm dhe të motivuar nga interesi i Kosovës.
“Themelimi i saj ishte, para së gjithash, vendim i përgjegjshëm i burrështetasve që nuk menduan për karrierën dhe fatin e tyre personal por për të drejtën historike dhe njerëzore të popullit të tyre”, deklaron Selimi.
Ai thotë se qëllimi ishte edhe përballja me pretendimet për krime të luftës dhe, sipas tij, demaskimi i akuzave për “shtëpi të verdha” dhe “trafikim organesh”.
“Ata pranuan të përballen me një gjykatë për të dekonstruktuar trillimet e spiunazhit rus e serb për ‘shtëpi të verdha’ dhe ‘trafikim organesh’. Për të dëshmuar se lufta çlirimtare e Kosovës nuk kishte asgjë për të fshehur”, ka shkruar ai.
Duke iu referuar zhvillimeve të procesit gjyqësor, Selimi ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj Shasivarit.
“Se si nga ‘shtëpia e verdhë’ dhe ‘trafikimi i organeve’ procesi përfundoi te dëshmitarë që kishin humbur lopët nëpër mal, është histori tjetër”, ka deklaruar Selimi.
Ai shton se Shasivari, për shkak të pretendimeve të tij akademike, do të duhej, sipas tij, ta kishte ndjekur më nga afër këtë proces.
“Ministri Shazivari, të paktën për shkak të pretendimeve të tij akademike, do të duhej ta kishte ndjekur këtë proces dhe ta dinte mirë. Mbase edhe e din”, shkruan Selimi.
Selimi e akuzon ministrin për kontradiktë në qëndrimet e tij.
“Tani, duke u përpjekur ta mbulojë deklaratën e tij skandaloze, Shazivari vetëm sa zhytet më thellë. Në njërën anë predikon drejtësi, në tjetrën fajëson pikërisht ata që patën guximin ta themelojnë Gjykatën dhe sot vetë qëndrojnë para saj. Hipokrizi klasike!”, ka shkruar ai.
Në një deklaratë tjetër, Selimi ka reaguar edhe ndaj përfaqësuesve të VLEN-it që, sipas tij, janë distancuar në mënyrë të tërthortë nga deklarata e ministrit.
“Më vjen mirë që shoh disa përfaqësues partiakë të VLEN-it që (tërthorazi) distancohen nga deklarata e turpshme e ministrit Shazivari duke dhënë mbështetje për çlirimtarët”, ka shkruar Selimi.
Megjithatë, ai kërkon që distancimi të bëhet zyrtarisht, duke argumentuar se Shasivari është ministër i propozuar nga VLEN.
“Por Shazivari është i deleguari i tyre në atë pozitë. Prandaj nuk mjaftojnë reagimet tërthorazi. Kanë për detyrë të distancohen zyrtarisht dhe të kërkojnë tërheqjen e deklaratës me kërkimfalje publike dhe në rast të kundërt dorëheqjen/shkarkimin e tij”, ka deklaruar Selimi.
Sipas tij, heshtja zyrtare e VLEN-it, krahas distancimeve individuale, do të linte hapësirë vetëm për tri interpretime.
“Përndryshe, mbeten vetëm tri mundësi”, shkruan Selimi.
Ai i rendit ato si: “Pajtohen me të, që do të ishte edhe më skandaloze”; “Nuk guxojnë të reagojnë publikisht për shkak të partnerit të tyre”; ose “Reagimet tërthorazi janë demagogji, sa për sy e faqe, pa asnjë peshë politike”.
“Le të zgjedhin vetë cilën nga këto tri duan ta pranojnë. Por të heshtin zyrtarisht dhe njëkohësisht të distancohen individualisht, nuk mundet. Shazivari është ministër i tyre. Edhe përgjegjësia është e tyre”, përfundon Selimi.
Në fund të reagimit të tij të parë, analisti ka përcjellë edhe një mesazh simbolik për luftën dhe UÇK-në: “Liria ka emër. Dhe ai emër është i shenjtë për ata që e ndjejnë dhe e dinë kush janë e çka janë.”


