Durmishi akuzon deputetët që votuan Specialen: Duhet të ndiejnë turp

Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”, i cili mbahet sot në Prishtinë.

Përmes një postimi, Durmishi ka vlerësuar lart rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se lufta e saj ishte luftë për liri. Ai ka kërkuar drejtësi dhe liri për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

“UÇK-ja është vlera më e lartë kombëtare që nga koha e Skënderbeut. Lufta jonë ishte e drejtë. Ishte luftë për liri. Prandaj presim drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”, ka shkruar Durmishi.

Ai ka kritikuar Gjykatën Speciale, të cilën e ka cilësuar si “monstrum juridik”, ndërsa ka drejtuar kritika edhe ndaj deputetëve që kanë votuar për themelimin e saj.

“Dëmi tashmë është bërë i pariparueshëm, sepse nga kjo gjykatë kemi edhe dënime. Më e pakta që duhet të ndiejnë sot deputetët që e votuan këtë gjykatë, është turpi për dëmin që ia kanë shkaktuar historisë sonë të lavdishme”, ka deklaruar ai.

Durmishi u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit në sheshin “Skënderbeu”.

“Ejani të gjithë në Sheshin ‘Skënderbeu’, në mbështetje të çlirimtarëve! Liri për çlirimtarët!”, ka shkruar Durmishi.