Ligji i ri godet zejtarët në RMV: mbi 3 mijë mbeten pa sigurim shëndetësor

Më shumë se 3,000 zejtarë kanë mbetur pa sigurim shëndetësor, pasi nuk kanë më mjete në llogaritë e tyre personale për të paguar kontributet. Problemi vazhdon për të dytin muaj radhazi, që nga miratimi në korrik i ndryshimeve në Ligjin për Kontributet e Detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore, me të cilat zejtarët e vetëpunësuar bëhen përgjegjës për pagesën e kontributeve për sigurimin e detyrueshëm pensional dhe invalidor. Kjo do të thotë se përllogaritja mujore e pagës tani bëhet në emër të personit, dhe jo, si më parë, në bazë të numrit unik tatimor dhe emrit të dyqanit të zejtarit.

Me këto ndryshime, zejtarët duhet t’i paguajnë kontributet për sigurimin shëndetësor dhe pensional, tatimin personal dhe pagën nga llogaria e tyre personale, e jo nga llogaria e dyqanit ku ushtrojnë veprimtarinë dhe ku gjenerohen të ardhurat mujore.

Një problem shtesë, sipas disa zejtarëve me të cilët ka biseduar 360 Gradë, është se ata nuk mund t’i tërheqin të ardhurat nga llogaria e dyqanit, pasi nuk kanë bazë ligjore për këtë.

“Ka mjete në llogarinë e dyqanit, por nuk ka në llogarinë time personale, sepse gjithçka që kisha e kam përdorur për t’i paguar kontributet për këta dy muaj. Përveç kësaj, pagesa që bëra më 27 gusht nuk u regjistrua në sistem dhe më është dashur ta paguaj privatisht kontrollin mjekësor”, thotë një nga zejtarët.

Kanë kredi, por nuk kanë para në llogaritë personale për këstet mujore

Dhoma e Zejtarëve e Shkupit konfirmon se zejtarët po përballen me këtë problem dhe thotë se për të tashmë i ka njoftuar institucionet kompetente.

Deri më tani, sipas Dhomës, zejtarët i përgatitnin vetë përllogaritjet për pagat dhe kontributet ose angazhonin një zyrë kontabiliteti për këtë. Me ndryshimet ligjore, detyrimin për përgatitjen e përllogaritjeve e merr përsipër Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP), e cila tani i përgatit ato në emër të personit, dhe jo sipas numrit unik tatimor të dyqanit.

“Me këto ndryshime, zejtarëve u pamundësohet të marrin pagë, ndërsa kontributet duhet t’i paguajnë nga llogaritë e tyre personale. Ndryshimet kanë shkaktuar shumë probleme, sepse njerëzit kanë marrë kredi dhe janë të detyruar të paguajnë këste mujore në banka, por nuk kanë të ardhura në llogaritë e tyre personale”, thotë Aneta Atanasovska, drejtoreshë ekzekutive e Dhomës së Zejtarëve të Shkupit.

Ajo konfirmon se janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet, të cilave u është kërkuar që përllogaritja e kontributeve të bëhet sipas numrit unik tatimor dhe më pas, përmes numrit të folios – numër unik identifikimi që lëshohet nga Drejtoria e të Ardhurave Publike gjatë dorëzimit të përllogaritjeve – pagesat të regjistrohen menjëherë në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor dhe në Fondin e Sigurimit Shëndetësor.

Aktualisht, siç thotë Atanasovska, zejtarëve u aktivizohet sigurimi shëndetësor 48 orë pas kryerjes së pagesës.

Ajo shton se më 1 shtator zejtarët mbetën pa sigurim shëndetësor për shkak të vonesave në sistemin e DAP-it.

Lidhur me problemin me të cilin po përballen zejtarët, Dhoma e Zejtarëve publikoi pesë ditë më parë në faqen e saj në Facebook një njoftim, në të cilin thuhet se drejtuesit e saj kanë zhvilluar takim me ministren e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ku janë paraqitur kërkesat e zejtarëve.

Ata kërkuan që personit të vetëpunësuar t’i mundësohet, me kërkesë personale, të paguajë kontribute mbi një bazë më të lartë, në përputhje me ligjin; të mundësohet pagesa e pagës për personin e vetëpunësuar – zejtar; të përgatiten përllogaritjet MPIN për të gjithë zejtarët që tatohen me normë fikse dhe të përcaktohet afati brenda të cilit ato do të jenë në dispozicion.

Gjithashtu, është kërkuar rikthimi i sistemit të përgatitjes së përllogaritjeve MPIN sipas numrit unik tatimor dhe emrit të dyqanit të zejtarit, në vend të numrit amë të qytetarit dhe emrit e mbiemrit të personit. Është kërkuar gjithashtu që të sigurohet regjistrimi pa pengesa i stazhit të punës në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor, si dhe vazhdimësia e sigurimit shëndetësor.

Ministrja e Financave, siç thuhet në njoftimin e Dhomës së Zejtarëve, ka premtuar se të gjitha problemet e evidentuara do të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndryshimet kanë hyrë në fuqi që nga korriku

Më 13 korrik të këtij viti, Drejtoria e të Ardhurave Publike publikoi një njoftim, përmes të cilit informoi të gjithë punëdhënësit, personat e vetëpunësuar dhe tatimpaguesit se kishin hyrë në fuqi ndryshimet në Ligjin për Kontributet e Detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore, të publikuara në “Gazetën Zyrtare” nr. 148/2026.

Këto ndryshime ndikojnë drejtpërdrejt në përllogaritjen e pagave dhe kontributeve për periudhën nga korriku deri në dhjetor të vitit 2026.

Sipas ndryshimeve, normat e përkohshme për përllogaritjen dhe pagesën e kontributeve janë të detyrueshme: 19.9 për qind për sigurimin e detyrueshëm pensional dhe invalidor, 7.5 për qind për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, 0.5 për qind për kontributin shtesë në rast të lëndimit në punë dhe sëmundjeve profesionale, si dhe 0.1 për qind për sigurimin në rast papunësie.

Në njoftim, Drejtoria e të Ardhurave Publike u bën thirrje punëdhënësve dhe zyrave të kontabilitetit që t’i përditësojnë menjëherë sistemet e tyre softuerike, në mënyrë që përllogaritjet MPIN për korrikun e vitit 2026 të dorëzohen pa pengesa.

Një nga risitë është ndryshimi i nenit 13, me të cilin Drejtoria e të Ardhurave Publike bëhet përgjegjëse për përgatitjen zyrtare të përllogaritjeve MPIN për personat e vetëpunësuar që paguajnë tatimin mbi të ardhurat personale mbi bazën e të ardhurave neto të përcaktuara me normë fikse, ndërsa detyrimi për pagesën e kontributeve mbetet te vetë zejtarët.