MPB ndjek penalisht 27 persona për ndryshime të paligjshme të kategorive në patentë-shoferë

MPB-ja informon se Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër 27 personave, mes tyre edhe një e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për shkak të dyshimeve për disa vepra penale që lidhen me futjen e paligjshme të kategorive në patentë-shoferë, lëshimin dhe përdorimin e tyre.

Gjatë masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, Departamenti ka konstatuar keqpërdorime në procedurat për lëshimin e patentë-shoferëve, përmes ndryshimit të paligjshëm të të dhënave në sistemin elektronik dhe lëshimit të dokumenteve publike me përmbajtje të pavërtetë.

Sipas MPB-së, njëra nga personat e kallëzuar, e punësuar në Njësinë për Çështje Administrative Shkup, dyshohet se gjatë periudhës nga 3 shtatori 2020 deri më 24 gusht 2026, duke përdorur kodin dhe autorizimet e saj zyrtare në sistemin elektronik, ka ndryshuar në mënyrë të paligjshme kërkesa të krijuara më parë për lëshimin e patentë-shoferëve nga punonjës të tjerë.

Në raste të caktuara, ajo dyshohet se ka refuzuar kërkesat e përgatitura dhe ka krijuar kërkesa të reja, në të cilat ka futur kategori për të cilat aplikantët nuk i plotësonin kushtet ligjore. Pas ndryshimeve, kërkesat janë miratuar dhe janë lëshuar patentë-shoferë me përmbajtje të pavërtetë.

MPB-ja bën të ditur se e njëjta punonjëse ishte larguar nga vendi i punës në periudhën 11 shkurt–11 prill 2021, dhe më pas ishte larguar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme për shkak të një kallëzimi penal për vepra të kryera gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, që lidhej me keqpërdorime në procedurat për lëshimin e dokumenteve personale. Më 15 janar 2025, në bazë të një vendimi gjyqësor, ajo ishte kthyer në vendin e punës në Njësinë për Çështje Administrative Shkup.

Me veprimet e paligjshme dyshohet se janë lëshuar patentë-shoferë për 21 persona, me kategori të futura në mënyrë të paligjshme, ndërsa në një rast veprimi ka mbetur në tentativë. Në tre raste, kërkesat e krijuara më parë janë refuzuar dhe më pas janë krijuar kërkesa të reja, në të cilat sërish janë futur kategori për të cilat nuk plotësoheshin kushtet ligjore.

Gjatë hetimit është konstatuar se katër persona kanë vepruar si ndërmjetës, duke bashkëpunuar me punonjësen e MPB-së për lëshimin e paligjshëm të patentë-shoferëve. Ata dyshohet se kanë gjetur persona të interesuar, i kanë lidhur me zyrtaren dhe kanë koordinuar procedurën deri në futjen dhe miratimin e paligjshëm të kategorive në sistemin elektronik dhe lëshimin e dokumenteve.

Për punonjësen e MPB-së ekzistojnë dyshime për 22 vepra penale të “Falsifikimit të dokumentit”, si dhe për një vepër të tillë të kryer në tentativë.

Një pjesë e personave të tjerë të kallëzuar dyshohet se, në marrëveshje dhe bashkëpunim me punonjësen, kanë marrë pjesë në procedurat për lëshimin e paligjshëm të patentë-shoferëve dhe akuzohen për falsifikim dokumentesh në bashkëkryerje.

Ndërkohë, personat të cilëve u janë lëshuar patentë-shoferët, edhe pse nuk i plotësonin kushtet ligjore për kategoritë përkatëse, kanë nisur procedurat duke paraqitur kërkesa, pas së cilës kategoritë janë futur dhe miratuar në mënyrë të paligjshme në sistemin elektronik.

MPB-ja njofton gjithashtu se gjashtë persona kanë përdorur patentë-shoferët e lëshuar në mënyrë të paligjshme gjatë kalimit të kufirit shtetëror. Dy prej tyre i kanë përdorur edhe në procedurat për marrjen e certifikatave të kompetencës profesionale për shoferë në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave, duke marrë certifikata të lëshuara nga Ministria e Transportit.

Për këto veprime ekzistojnë dyshime për gjashtë vepra penale të “Përdorimit të dokumentit me përmbajtje të pavërtetë”.

Në një rast, procedura për futjen e paligjshme të kategorisë nuk është përfunduar dhe për këtë arsye ekziston dyshimi për falsifikim dokumenti në tentativë, në bashkëkryerje.

Për parregullsitë e konstatuara, Departamenti ka njoftuar Ministrinë e Transportit – Sektorin për Komunikacion Rrugor dhe Infrastrukturë, duke kërkuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme ndaj subjekteve juridike që ofrojnë trajnime ose ndërmjetësojnë në lëshimin e certifikatave të kompetencës profesionale, si dhe rishikimin e ligjshmërisë së certifikatave të lëshuara më parë dhe marrjen e masave përkatëse ligjore.

Ndaj punonjëses së MPB-së do të paraqitet edhe propozim për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore, ndërsa do të shqiptohet edhe masa e detyrueshme e largimit – pezullimit nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore.