Trump takohet me presidenten irlandeze Connolly gjatë vizitës në Irlandë

Presidenti amerikan, Donald Trump, është takuar me presidenten irlandeze, Catherine Connolly, pasi mbërriti në Irlandë për një vizitë dyditore, transmeton Anadolu.

Trump mbërriti në Aras an Uachtarain, rezidenca zyrtare e presidentes irlandeze në Dublin, ku u prit nga Connolly dhe nga një bandë ushtarake gjatë ceremonisë së mirëseardhjes. Dy liderët shtrënguan duart përpara se të zhvillonin një takim kortezie.

Trump gjithashtu pritet të takohet më vonë me kryeministrin irlandez, Micheal Martin, për bisedime dypalëshe, gjatë të cilave pritet të diskutojnë një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me SHBA-në dhe Irlandën.

Më herët gjatë ditës, pas zbritjes nga avioni, Trump u prit nga zyrtarë të lartë irlandezë, përfshirë zv/kryeministrin Simon Harris, ministren e Punëve të Jashtme, Helen McEntee dhe ambasadorin amerikan në Irlandë, Ed Walsh.

Gjatë vizitës së tij dyditore, Trump pritet gjithashtu të marrë pjesë në aktivitete në rezidencën e ambasadorit amerikan në Phoenix Park të Dublinit.

Më pas, ai do të udhëtojë drejt perëndimit, në Qarkun Clare, ku pritet të marrë pjesë në turneun Amgen Irish Open në Trump International Golf Links and Hotel Doonbeg, një pronë në pronësi të tij.

Itinerari i Trumpit do ta çojë atë nga Dublini drejt bregut perëndimor të Irlandës, përpara se të largohet nga vendi të dielën.