Të paktën dy viktima nga stuhia e fuqishme në Itali, përmbytje në Romë dhe Milano

Të paktën dy persona humbën jetën nga stuhia e fuqishme me reshje të dendura shiu, tornado dhe përmbytje, e cila dje goditi disa zona në Itali, duke shkaktuar kolaps të trafikut në Romë dhe Milano, raportuan mediat italiane.

Njëra nga viktimat është grua e cila u mbyt në automjetin e saj teksa po përpiqej të kalonte nëpër një nënkalim të përmbytur në Latisana, në rajonin verilindor italian Friuli-Venecia Xhulia. Niveli i ujit në nënkalim u rrit papritur dhe ajo nuk arriti të dilte nga automjeti, ndërsa një karabinier u lëndua dhe u shtrua në spital gjatë përpjekjes për ta shpëtuar.

Viktima e dytë është një grua e moshuar nga Sinalunga, në rajonin e Toskanës, e cila humbi jetën pasi tornadoja theu dritaret e shtëpisë së saj dhe copat e xhamit e plagosën për vdekje.

Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e fuqishme shkaktuan përmbytje të mëdha në një sërë qytetesh italiane, ndër të cilat edhe Milano.

Në kryeqytetin Romë, stuhia rrëzoi pemë, përmbyti disa stacione të metrosë, i shndërroi sheshet dhe bulevardet në lumenj dhe shkaktoi kaos në trafik, me vonesa të mëdha në transportin publik dhe trafikun hekurudhor. Një numër i madh turistësh që dëshironin të fotografoheshin para Koloseumit, për shkak të reshjeve të dendura të shiut u detyruan të strehoheshin dhe të zinin stacionin e afërt të metrosë.

Shërbimet e emergjencës në Romë dje reaguan ndaj më shumë se 300 thirrjeve të lidhura me dëmet e shkaktuara nga stuhia, ndërsa mediat lokale, përfshirë “Roma tudej”, komentojnë se në kryeqytet mjaftojnë vetëm 15 minuta shi që situata të dalë plotësisht jashtë kontrollit.