Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare politikania dhe aktivistja italiane, Emma Bonino, një prej zërave të fuqishëm në mbështetje të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999 dhe në vitet që pasuan.
Bonino ishte një prej mbështetëseve të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe gjatë luftës kishte vizituar refugjatët kosovarë në vendet përreth Kosovës, duke alarmuar vazhdimisht për gjendjen humanitare.
Më 9 maj 1999, në cilësinë e komisioneres për ndihma humanitare të Bashkimit Evropian, Bonino qëndroi në Shkup, prej nga alarmoi për përmasat e krizës humanitare në Kosovë.
“Janë të paktën 690 mijë të zhvendosur, që nënkupton se një bombë njerëzore është mbushur dhe mund të shpërthejë në çdo kohë”, pati thënë ajo.
Në atë kohë, Bonino kishte denoncuar edhe faktin se autoritetet jugosllave nuk po lejonin kosovarët të hynin në Maqedoni për katër ditë.
Pas përfundimit të luftës, angazhimi i saj në mbështetje të Kosovës vazhdoi. Në vitin 2013, Bonino vizitoi Kosovën, ku gjatë një konference për media u zotua për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.
Përtej angazhimit të saj ndaj Kosovës, Bonino do të mbahet mend edhe për një karrierë të gjatë politike dhe aktivizëm në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Ajo ishte një prej figurave kryesore të politikës radikale italiane dhe udhëhoqi fushata për legalizimin e abortit dhe divorcit, përballë kundërshtimit të Vatikanit.
Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të ditur partia “Më shumë Evropë”, e cila e ka përshkruar Boninon si një prej figurave më të rëndësishme të politikës italiane.
“Sot kemi humbur jo vetëm lideren tonë, por edhe një prej figurave më largpamëse, guximtare e të lira në historinë politike të shtetit tonë”, ka njoftuar partia e saj “Më shumë Evropë” të premten.
Në reagimin e saj, partia ka përmbledhur edhe angazhimin e gjatë të Boninos për çështje të ndryshme të të drejtave dhe lirive.
“Jeta e saj ka qenë një rrëmujë kundër gjithçkaje që mohonte lirinë: kundër aborteve klandestine, kundër urisë, zgjedhjes së politikës partiake, gjymtimit të organeve gjenitale femërore, drejtësisë ndëshkuese, gjenocidit dhe çdo forme autoritarizmi”, thuhet në reagimin e partisë së saj, si përshkrim të karrierës së Boninos.


