Organizata qytetare “Më Mirë për Tetovën” ka reaguar lidhur me listën e emrave të rrugëve, bulevardeve, shesheve dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Tetovë, të cilën, sipas organizatës, e ka pranuar nga Komuna e Tetovës pas një kërkese për qasje në informata me karakter publik.
Nga “Më Mirë për Tetovën” pretendojnë se në listën e pranuar ka mungesa dhe gabime, ndërsa theksojnë se shumica e emrave të rrugëve lidhen me periudhën e Jugosllavisë komuniste.
Organizata thotë se nga gjithsej 170 emra rrugësh për Tetovën dhe Reçicën, 71 janë të shënuara me numra, ndërsa 99 kanë emra të veçantë. Sipas tyre, vetëm njëri nga 51 emrat e individëve është shqiptar, ndërsa bëhet fjalë për partizanin Murat Baftijari.
Në reagimin e saj, organizata e lidh këtë përbërje të emrave me atë që e cilëson si “fshirje simbolike dhe historike” të shqiptarëve në Tetovë gjatë periudhës së Jugosllavisë komuniste.
“Më Mirë për Tetovën” kërkon që emërtimet e hapësirave publike të pasqyrojnë realitetin demografik dhe historik të qytetit, duke theksuar se shqiptarët përbëjnë mbi 70 për qind të popullsisë së Tetovës sipas regjistrimit të vitit 2021.
Reagimi i plotë:
“SISTEMI QË PERSEKUTONTE SHQIPTARËT, ENDE KA ADRESË NË TETOVË
Më datë 19.06.2026 kemi kërkuar qasje në informata me karakter publik. Pas kësaj kërkese, Komuna e Tetovës, më datë 27.07.2026, na ka dërguar listën e emrave të rrugëve, bulevardeve, shesheve dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Tetovë. Për fat të keq, kjo listë përmban gabime, përkatësisht disa emra rrugësh mungojnë.
Në listën që kemi pranuar janë të shënuar gjithsej 170 emra rrugësh për Tetovën dhe Reçicën. Prej tyre, 71 janë të shënuara me numra, ndërsa 99 të tjerat janë emra të veçantë. Nga këta, 51 janë emra individësh, si për shembull Marshall Tito, Lenin etj., ndërsa 48 emrat e tjerë përshkruajnë rajone, qytete, ngjarje historike ose ideologjike, si Bihaçka, Kragujevaçka, Kievska, JNA, Partizanska, Proletarska dhe 29 Nëntori, dita e republikës në Jugosllavinë komuniste.
Në mesin e 51 emrave të përveçëm të individëve gjendet vetëm një shqiptar, edhe ai partizani Murat Baftijari. Gjithashtu, shumica dërrmuese e emrave të tjerë lidhen me periudhën e komunizmit dhe me të ashtuquajturit heronj partizanë. Është e qartë se në këtë listë nuk gjendet asnjë emër tjetër shqiptar. Nga 51 emrat e përveçëm, 35 lidhen drejtpërdrejt me Jugosllavinë komuniste antishqiptare.
Këto fakte dëshmojnë qasjen antishqiptare të regjimit Jugosllav-komunist, i cili me çdo kusht ka tentuar ta fshijë historinë dhe trashëgiminë shqiptare të Tetovës, duke e paraqitur qytetin si monoetnik dhe duke anashkaluar edhe etnitë e tjera. Kjo është një formë e hapur e fshirjes simbolike dhe historike që është tentuar të bëhet në Tetovë gjatë asaj periudhe.
Mbetjet e të njëjtit sistem dëshirojnë të ushtrojnë dhunë politike dhe të vazhdojnë nënshtrimin e shqiptarëve edhe sot. Ata kanë gjetur Murat Baftijarë të rinj në mesin e tyre, përmes të cilëve për 30 vite kanë tentuar t’i mbajnë shqiptarët të nënshtruar.
Fakti që emrat e rrugëve dhe të institucioneve të tjera nuk e përfaqësojnë realitetin shoqëror në Tetovë shihet qartë edhe nga pasqyra demografike. Sipas të dhënave zyrtare, përqindja e shqiptarëve në Tetovë nuk ka qenë asnjëherë nën 35%, edhe gjatë periudhës së Jugosllavisë komuniste kur shqiptarët janë dënuar dhe diskriminuar. Ndërkaq, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, përqindja e shqiptarëve në Tetovë është mbi 70%.
Nëse Maqedonia e Veriut është shtet demokratik, atëherë vullneti i një populli shumicë nuk mund të anashkalohet.
Nëse Maqedonia e Veriut synon Evropën, atëherë njëherë e përgjithmonë duhet ta ndajë rrugën e vet nga e kaluara komuniste, pavarësisht se jugonostalgjikët dhe pasuesit e Titos edhe sot e kësaj dite gjejnë nipat dhe mbesat e ish-bashkëpunëtorëve të UDB-së për të vazhduar nënshtrimin e shqiptarëve”, përfundojnë nga Më Mirë për Tetovën./tetova1.mk



