Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në Bratislavë u takua me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovakisë, Juraj Blanár, me të cilin diskutoi për hapat e ardhshëm të procesit të integrimit evropian të vendit.
Sali falënderoi Sllovakinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe theksoi nevojën që procesi i zgjerimit të mbetet kredibil, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita.
“Përmbushja e detyrimeve të dakorduara duhet të pasohet me progres konkret.”
Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe çështjet bilaterale. Sali theksoi se këto çështje duhet të trajtohen përmes dialogut dhe respektit të ndërsjellë, duke ruajtur fokusin te reformat dhe standardet evropiane.
“Çështjet bilaterale duhet të trajtohen përmes dialogut dhe respektit të ndërsjellë, pa e humbur fokusin e procesit të anëtarësimit nga reformat dhe standardet evropiane.”
Sali vlerësoi lart rolin e Sllovakisë në mbështetje të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.


