Llaskarca” dhe “Koçani” janë shndërruar në dy pika të kundërta nga të cilat VMRO-DPMNE dhe LSDM e akuzojnë njëra-tjetrën për dështimin e drejtësisë. Në njërën anë, pushteti thotë se vendimi për Llaskarcën tregon se problemet e sistemit gjyqësor janë trashëgimi e qeverisjeve të mëparshme. Në anën tjetër, opozita përgjigjet se pas dy vitesh e gjysmë në pushtet, përgjegjësia nuk mund t’u faturohet më paraardhësve dhe se rasti i Koçanit është prova e dështimit të sistemit aktual.
Dy tragjedi, dy akuza dhe një betejë politike për atë se kush mban përgjegjësinë për gjendjen e sistemit gjyqësor. Vendimi i Gjykatës Supreme për të shfuqizuar aktgjykimin për aksidentin tragjik te Llaskarca, ku humbën jetën 16 persona, ka ndezur një përplasje të re mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. VMRO-DPMNE e sheh vendimin si dëshmi se për tragjedinë e Llaskarcës ende nuk ka përgjegjësi, duke e lidhur gjendjen e gjyqësorit me periudhën e qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së. Nga ana tjetër, LSDM e zhvendos fokusin te pushteti aktual dhe rasti “Puls” në Koçan, ku 63 të rinj humbën jetën dhe 193 persona u plagosën, duke akuzuar qeverinë e Hristijan Mickoskit se, pas dy vitesh në pushtet, drejtësia vazhdon të dështojë.
VMRO-DPMNE reagoi ashpër pas vendimit të Gjykatës Supreme, duke theksuar se 16 persona humbën jetën në aksidentin e Llaskarcës, ndërsa, sipas tyre, ende nuk ka përgjegjës. “16 persona humbën jetën, ndërsa nuk ka përgjegjës. Njësoj siç në sistemin gjyqësor nuk ka përgjegjësi as për spitalin modular të djegur të Venko Filipçes, ku njerëzit digjeshin të gjallë”, deklarojnë nga VMRO-DPMNE. Nga partia shtrojnë pyetjen se si është e mundur që në një shtet të ketë tragjedi me dhjetëra viktima dhe të mos ketë përgjegjësi penale.
VMRO-DPMNE në reagimin e saj përmend edhe rastin e Stevço Jakimovskit, duke pretenduar se ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë për kriminalitet, por tashmë është liruar. “Ky është gjithçka që duhet të dini për gjyqësorin e udhëhequr nga BDI dhe LSDM, me 2 për qind besim”, thuhet në reagimin e partisë. Në shënjestër të VMRO-DPMNE-së është edhe Gjykata Supreme dhe kryetari i saj, Afrim Fidani, për të cilin partia vlerëson se me vendimin për Llaskarcën i është shkaktuar “turp drejtësisë në Maqedoni”. “Është e qartë se instalimet e LSDM-së dhe BDI-së në sistemin gjyqësor ende janë aktive”, akuzon VMRO-DPMNE.
Por LSDM e kthen menjëherë akuzën drejt pushtetit aktual, duke e vendosur tragjedinë e Koçanit në qendër të reagimit. “Pronari Deko dhe pothuajse të gjithë të akuzuarit për ‘Puls’ janë në liri. Prindërit porositën se drejtësia nuk guxon të skadojë. Po çfarë bën pushteti i Mickoskit?”, pyet LSDM. Sipas LSDM-së, VMRO-DPMNE kontrollon policinë, prokuroritë dhe gjykatat prej dy vitesh e gjysmë, por rezultati, sipas tyre, është që të akuzuarit për tragjedinë e Koçanit po dalin në liri. “Fajtorët për tragjedinë në Koçan, në të cilën humbën jetën 63 të rinj dhe 193 u plagosën, dalin në liri. Ky është një gjyqësor i kontrolluar që mbron të vetët, ndërsa viktimat dhe familjet e tyre i lë pa përgjigje dhe pa drejtësi”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia opozitare e lidh këtë edhe me deklaratat e mëparshme të Mickoskit për rastin “Puls”, duke e akuzuar kryeministrin se nuk ka mbajtur premtimet e dhëna. LSDM përmend edhe disa raste të tjera gjyqësore dhe pretendon se gjatë qeverisjes aktuale persona të ndryshëm janë liruar nga përgjegjësia, duke përfshirë raste që lidhen me figura të njohura publike, pronë të konfiskuar dhe raste të tjera kriminale. “E tillë është drejtësia me Mickoskin. LSDM qëndron me familjet e viktimave. Kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe të paanshme. Kërkojmë drejtësi që nuk do të skadojë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Përplasja mes dy partive kështu nuk mbetet vetëm te një vendim gjyqësor. Llaskarca dhe Koçani janë shndërruar në dy pika të kundërta nga të cilat VMRO-DPMNE dhe LSDM e akuzojnë njëra-tjetrën për dështimin e drejtësisë. Në njërën anë, pushteti thotë se vendimi për Llaskarcën tregon se problemet e sistemit gjyqësor janë trashëgimi e qeverisjeve të mëparshme. Në anën tjetër, opozita përgjigjet se pas dy vitesh e gjysmë në pushtet, përgjegjësia nuk mund t’u faturohet më paraardhësve dhe se rasti i Koçanit është prova e dështimit të sistemit aktual.


