Me 140 denarë, çfarë ha sot një student?

Për vitin akademik 2026/2027, studentët do të vazhdojnë të marrin 140 denarë për një vakt të subvencionuar, po aq sa edhe vitin e kaluar. Kjo shumë përcaktohet në thirrjen publike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për ushtrimin e së drejtës për ushqim të subvencionuar për studentët. Në praktikë, kjo do të thotë se, ndërsa kostoja e jetesës dhe çmimet e disa produkteve kanë ndryshuar, shuma që shteti ndan për një vakt studentor nuk ka pësuar ndryshim.

Viti i ri akademik ende nuk ka nisur, por për studentët tashmë shfaqet një problem që përsëritet nga viti në vit, sa mund të mbulojë realisht një vakt me 140 denarë, në një kohë kur çmimet e një pjese të ushqimeve bazë vazhdojnë të jenë më të larta. Edhe këtë vit, shuma e subvencionit për ushqimin e studentëve mbetet e pandryshuar, pavarësisht ndryshimeve në çmimet e produkteve që përbëjnë pjesën kryesore të një vaktit.

Për vitin akademik 2026/2027, studentët do të vazhdojnë të marrin 140 denarë për një vakt të subvencionuar, po aq sa edhe vitin e kaluar. Kjo shumë përcaktohet në thirrjen publike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për ushtrimin e së drejtës për ushqim të subvencionuar për studentët. Në praktikë, kjo do të thotë se, ndërsa kostoja e jetesës dhe çmimet e disa produkteve kanë ndryshuar, shuma që shteti ndan për një vakt studentor nuk ka pësuar ndryshim.

Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se inflacioni në korrik të këtij viti ishte 2.3 për qind në bazë vjetore, ndërsa në bazë mujore kostoja e jetesës u rrit minimalisht me 0.1 për qind. Megjithatë, ngadalësimi i inflacionit nuk nënkupton se çmimet janë kthyer në nivelet e mëparshme. Përkundrazi, disa prej produkteve bazë që lidhen drejtpërdrejt me ushqimin vazhdojnë të kenë çmime më të larta. Mishi në korrik ishte 6.6 për qind më i shtrenjtë se një vit më parë, qumështi dhe vezët 4.4 për qind, vaji 6.75 për qind, ndërsa uji 3.2 për qind.

MASH-i në thirrjen për vitin akademik 2026/2027, sqaron se mbështetja financiare për ushqimin e subvencionuar mbetet në shumën prej 140 denarësh. “Një ushqim i subvencionuar për studentë është mbështetje financiare në shumën prej 140 denarësh, të cilën studenti e merr nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për blerjen e ushqimit të përgatitur. Përdoruesit kanë të drejtë të përdorin shërbimin nga e hëna deri të shtunën. Nëse përdoruesi i një vakti studentor të subvencionuar nuk e ushtron të drejtën për një vakt studentor të subvencionuar në periudhën nga e hëna deri të shtunën, shuma e vaktit studentor të subvencionuar është e disponueshme për përdorim në llogari deri në fund të javës aktuale, duke përfshirë të shtunën”, thuhet në njoftimin e MASH-it.

Sipas ministrisë, fondet e subvencionuara do të mund të shpenzohen te ofruesit e ushqimit të subvencionuar për studentët dhe pagesa do të realizohet përmes kartës së dedikuar të Sparkasse Bankës. Ndërsa, studentët që do të fitojnë këtë të drejtë duhet të nënshkruajnë marrëveshje me bankën për hapjen e një llogarie të veçantë, të lidhur me kartën e pagesës për ushqimin e subvencionuar, ndërsa MASH thekson se hapja e llogarisë dhe lëshimi i kartës nuk do të kenë kosto për studentin.

Ndryshe, për studentët sfida mbetet vetë vlera e subvencionit. Në një periudhë kur çmimet nuk po bien në nivelin e viteve të mëparshme, por vetëm po ngadalësohet ritmi i rritjes së tyre, 140 denarët kanë mbetur e njëjta shumë edhe për vitin e ri akademik. Kështu, mbështetja që synon të lehtësojë shpenzimet për ushqim mbetet nominalisht e pandryshuar, ndërsa kostoja reale e një vakti është ajo që përcakton se sa ndihmë përfaqëson kjo shumë për studentin. (koha.mk)