Gati për çdo muaj janë të lira 8000, 9000 apo 10.000 vende të lira pune nga njëra anë ndërsa nga ana tjetër janë të regjistruar gati 90.000 të papunë, kryesisht me arsim të ulët. Sipas ekspertëve, arsyeja për këtë është mungesa e kualifikimit të qytetarëve në raport me kërkesat tregut të punës.
Tregu i punës në Maqedoni përballet me plot kundërthënie. Gati për çdo muaj janë të lira 8000, 9000 apo 10.000 vende të lira pune nga njëra anë ndërsa nga ana tjetër janë të regjistruar gati 90.000 të papunë, kryesisht me arsim të ulët. Sipas ekspertëve, arsyeja për këtë është mungesa e kualifikimit të qytetarëve në raport me kërkesat tregut të punës.
“Pra kemi të bëjmë me mospërputhjen strukturore në tregun e punës, ku një pjesë e konsiderueshme e të papunëve janë të papunë afatgjatë dhe të vështirë për t’u punësuar ku për shkak të strukturës joadekuate të aftësive dhe kompetencave që posedojnë të papunët, punëdhënësit përballen me probleme të tilla të mungesës së fuqisë punëtore dhe gjetjes së punëtorëve me aftësi dhe kualifikime të përshtatshme. Dobësi të tilla do të duhet të adresohen në të ardhmen përmes politikave dhe masave të përshtatshme që synojnë një përputhje më të mirë të aftësive me nevojat e punëdhënësve”, thotë eksperti Dimitar Nikolloski.
“Nëse e shikojmë strukturën e të papunëve, mund të konkludojmë se rreth 2/3 janë të papunë afatgjatë, 1/4 janë persona pa arsim fillor ose më së shumti me arsim fillor të përfunduar, që do të thotë se është një ofertë jo tërheqëse për tregun e punës, dhe persona që mezi mund t’i plotësojnë vendet e lira të punës. Nga ana tjetër, vendet e lira të punës janë kryesisht në aktivitete që janë ose me natyrë sezonale, ose kërkojnë aftësi që janë në përputhje me ndryshimet e reja teknologjike si aftësitë moderne dixhitale, të gjelbra, etj”, thekson Dimitar Nikolloski, profesor universitar.
Sipas tij, punëdhënësit duhet të investojnë në punëtorët e tyre, t’i paguajnë mirë, t’i trajnojnë, në mënyrë që në të ardhmen të mos mbështeten në importimin e fuqisë punëtore, që është vetëm një zgjidhje afatshkurtër. Për më tepër nevojitet të mendohet në suaza afatgjate dhe biznesi vendor duhet bazuar në ndërtimin e kapaciteteve të fuqisë punëtore vendase.
Problem tjetër në tregun vendor të punës janë edhe shifrat e larta të punësimit informal. Tashmë ka 101.022 të tillë në Maqedoni. Kjo është shifra më e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave për tremujorin e dytë të vitit 2026. Nga gjithsej 708.698 persona të punësuar, më shumë se 101 mijë janë të punësuar në mënyrë informale. Kjo është rreth 14 për qind e të gjithë punësimit, ose, thënë thjesht, afërsisht çdo person i shtatë që punon në vend. Numri më i madh i punëtorëve informal janë në bujqësi, pylltari dhe peshkim. Në tremujorin e dytë, atje u regjistruan plot 51,487 persona. Kjo përbën 51 për qind të të gjithë punëtorëve informal në vend. Me fjalë të tjera, çdo i dyti punonjës informal në Maqedoni është i lidhur me bujqësinë.
Grupi i dytë i madh është ndërtimi, ku janë përqendruar edhe 17.2 për qind e punëtorëve informal. Këta dy sektorë së bashku përbëjnë më shumë se dy të tretat e të gjithë punësimit informal. Për vitin 2025, Enti Shtetëror i Statistikave regjistroi 94.847 persona të punësuar në mënyrë informale, që ishte 11.5 për qind më shumë se në vitin 2024. Edhe atëherë, bujqësia ishte burimi më i madh i punës informale, me 48.5 për qind të totalit, ndërsa ndërtimi përbënte 17.1 për qind. (koha.mk)


