Situata me ethet e Nilit Perëndimor në vend po tregon shenja qetësimi, vlerëson ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Klekovski theksoi se ulja e rasteve të reja nuk mund të lidhet drejtpërdrejt me ftohjen e motit, pasi simptomat shfaqen 3 deri në 14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Megjithatë, ai paralajmëron se nuk mund të përcaktohen modele plotësisht të parashikueshme. Në këtë drejtim, janë zbuluar edhe tre korba të ngordhur me virus, dy në Karposh dhe një në Resnjë.
“Dy pacientë të hospitalizuar për një periudhë më të gjatë kanë pasqyrë klinike më të rëndë. Ata janë të intubuar dhe janë në mbështetje respiratore. Katër pacientët e tjerë janë në gjendje stabile dhe po trajtohen në Repartin për neuroinfeksione. Dy prej tyre konsiderohen si raste të dyshuara, pasi janë raste më të reja, ndërsa te dy pacientët e tjerë procesi i shërimit është drejt përfundimit dhe pritet që së shpejti të lëshohen nga spitali”, u shpreh Fadil Cana, drejtor i Klinikës Infektive.
Nga gjithsej 58 të prekurit, 46 janë meshkuj dhe 12 femra. Shumica, 55 raste, janë nga Shkupi, ndërsa raste janë regjistruar edhe në Veles, Kumanovë dhe Shën Nikollë. 47 pacientë janë mbi 60 vjeç, ndërsa aktualisht pesë persona vazhdojnë të trajtohen në spital.


