Ethan Mbappé mund të përballet me një pezullim të gjatë në Champions League, pas kartonit të kuq të marrë në sfidën mes Lilës dhe Betisit.
Mesfushori francez u përjashtua në minutën e 56-të të ndeshjes, të cilën Lila e humbi 3-2, pas një goditjeje me bërryl në fytyrën e Natanit. Arbitri e konsideroi veprimin të qëllimshëm dhe si sjellje të dhunshme, duke e nxjerrë direkt me karton të kuq.
Përjashtimi do ta detyrojë 18-vjeçarin të mungojë të paktën në ndeshjen e ardhshme evropiane kundër Arsenalit, e planifikuar për 13 tetor. Megjithatë, mungesa e tij mund të zgjasë shumë më tepër.
Sipas L’Équipe, rregullorja disiplinore e UEFA-s parashikon dënime të ashpra për raste që klasifikohen si “sjellje brutale” apo “akt dhune”. Në një situatë të tillë, Ethan Mbappé mund të dënohet me një minimum prej tri ndeshjesh pezullim.
Por situata mund të bëhet edhe më serioze. Nëse Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s e konsideron ndërhyrjen si një “agresion të rëndë”, pezullimi mund të shkojë deri në pesë ndeshje.
Një dënim maksimal do të ishte një goditje e rëndë për mesfushorin e Lilës, pasi do ta linte jashtë për një pjesë të konsiderueshme të fushatës së tij në Champions League.
Vendimi përfundimtar pritet të merret deri në fund të shtatorit. Pas njoftimit të vendimit, Lila dhe vetë lojtari do të kenë mundësinë të paraqesin ankimim.


