Messi investon sërish në Spanjë, është pranë blerjes së klubit të kategorisë së dytë

Lionel Messi po zgjeron gjithnjë e më shumë investimet e tij në futboll dhe këtë herë objektivi i radhës është një klub i kategorisë së dytë në Spanjë. Ylli argjentinas ka arritur një marrëveshje paraprake për blerjen e Eldenses, duke synuar të bëhet aksionari kryesor i klubit nga Elda, në provincën e Alicante-s.

Vetë Eldense ka konfirmuar marrëveshjen, duke bërë të ditur se Messi do të blejë aksionet që aktualisht zotërohen nga grupi investues Grupo TH Soluciones. Nëse operacioni përfundon me sukses, argjentinasi do të marrë kontrollin e klubit.

Megjithatë, marrëveshja ende nuk është përfundimtare. Përpara mbylljes së saj duhet të përfundojnë procedurat ligjore dhe kontraktuale, përfshirë procesin e verifikimit financiar të klubit, ndërsa operacioni duhet të marrë edhe autorizimin e Këshillit të Lartë të Sportit në Spanjë (CSD). Për momentin nuk janë bërë publike as detajet financiare dhe as një datë zyrtare për përfundimin e blerjes.

Ky do të ishte investimi i dytë i Messit në një klub spanjoll brenda pak muajsh. Në prill, 39-vjeçari bleu klubin katalanas Cornellà, që militon në kategoritë e ulëta të futbollit spanjoll.

Eldense, i themeluar në vitin 1921, aktualisht luan në Segunda División dhe ndodhet në vendet e fundit të renditjes. Klubi kishte marrë vetëm dy pikë në katër ndeshjet e para të sezonit dhe së fundmi shkarkoi trajnerin Claudio Barragán.