Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka udhëzuar avokatët e tij të ngrenë padi për shpifje ndaj gazetës “Haaretz” dhe gazetarit Shlomi Eldar lidhur me një raportim ku pretendohet se ai ishte paralajmëruar nga Emiratet e Bashkuara Arabe para sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, raportoi sot “The Jerusalem Post”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të cituar nga gazeta, zyra e kryeministrit e cilësoi raportimin e “Haaretz”-it si plotësisht të fabrikuar, duke thënë se nuk kishte patur asnjë komunikim mes Netanyahut dhe EBA-së nga fillimi i shtatorit 2023 deri në sulmin e 7 tetorit.
Zyra tha se shqyrtimi i të dhënave të telefonatave të Netanyahut dhe regjistrave të hyrjeve në zyrën e kryeministrit gjatë kësaj periudhe tregoi se asnjë përfaqësues i EBA-së nuk kishte vizituar zyrën. Ajo akuzoi “Haaretz”-in se e publikoi raportimin si pjesë të një fushate të motivuar politikisht para zgjedhjeve të 27 tetorit në Izrael.
Zyra e kryeministrit fajësoi gjithashtu ish-kreun e Shin Bet-it, Ronen Bar, dhe ish-shefin e ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, për dështimet lidhur me sulmin e 7 tetorit, duke pretenduar se ata kishin parë indikacione për një sulm të afërt disa orë para se ai të fillonte, por nuk e kishin informuar Netanyahun në kohë.
“Haaretz” tha në përgjigje të padisë së paralajmëruar se qëndron pas raportimit të saj, sipas “The Jerusalem Post”. Mosmarrëveshja pason një raportim të “Haaretz”-it ku pretendohet se Netanyahu kishte marrë një paralajmërim nga EBA-ja para sulmit të 7 tetorit, por nuk kishte ndërmarrë veprime.
Raportimi bëri që të martën liderët e opozitës izraelite Naftali Bennett, Gadi Eisenkot, Avigdor Lieberman dhe Yair Golan të kërkonin krijimin e menjëhershëm të një komisioni shtetëror hetimor për ngjarjet që lidhen me 7 tetorin.
Në një deklaratë të përbashkët, liderët e opozitës thanë se publiku izraelit meriton të dijë se çfarë ndodhi para, gjatë dhe pas sulmit dhe akuzuan Netanyahun se kishte shpërfillur paralajmërime serioze që i kishin mbërritur drejtpërdrejt.
Ata u zotuan se do të krijojnë menjëherë një komision shtetëror hetimor nëse formojnë qeverinë e ardhshme.
Netanyahu është përballur me kritika të vazhdueshme për mënyrën se si qeveria e tij trajtoi ngjarjet që çuan në sulmin e 7 tetorit dhe ka kundërshtuar thirrjet për krijimin e një komisioni shtetëror hetimor, ndërsa argumenton se çështjet e përgjegjësisë duhet të trajtohen pas përfundimit të luftës.


