Deputetët e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin për shkak të mosvotimit të pesë nënkryetarëve, pas emërimit të Albulena Haxhiut si kryetare të këtij institucioni.
Pas kthimit nga pauza njëorëshe, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu u përplas me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, duke i kërkuar ta tërheqë fjalimin e propozimit paraprak për nënkryetar.
Haxhiu e lexoi deklaratën e Simiqit që u shpreh se propozimin për nënkryetar e bën në emër të “popullit serb”.
Haxhiu tha se kjo deklaratë bie ndesh me Kushtetutën dhe i kërkoi ta tërheqë fjalimin, por Simiq refuzoi duke thënë se “e kupton lojën”.
Haxhiu ia ndërpreu dy herë fjalën deputetit Simiq, më pas ajo tha se nuk ka dakordim për mënyrën e votimit për nënkryetarë të Kuvendit dhe si rrjedhojë “duhet dakordim”.
Pas kësaj, Haxhiu tha se edhe në takim me anëtarë të partive të tjera “nuk pati dakordim për mënyrën e votimit për nënkryetarë të Kuvendit”.
“Pra nga ai takim, siç unë e kuptova, ishte e qartë se as propozimi i subjektit politik PDK që ishte Vlora Citaku, e në anën tjetër as propozimi i LDK-së, që ishte Kujtim Shala, sikurse dhe zonja Nagavci ngriti shqetësimet e njëjta me deklaratat e Simiqit, që janë jokushtetuese, pra është e qartë që nuk ka vota për propozimet e tyre për t’u zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit. Prandaj, konsideroj se duhet dakordim për këtë çështje dhe si rrjedhojë seanca i vazhdon punimet të premten në orën 11”, ka thënë Haxhiu.
Gjatë seancës së të mërkurës u zgjodh kryetarja e re e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu. Por, Kuvendi nuk quhet i konstituuar pa u votuar edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, përfshirë edhe nënkryetarët nga minoriteti serb dhe një nga minoritetet e tjera etnike.


