De la Fuente zgjedh pasardhësit e Messit dhe Ronaldos: Janë në një tjetër dimension

Luis de la Fuente ka veçuar dy emra që, sipas tij, kanë potencialin për të trashëguar rolin e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos në elitën e futbollit botëror.

Trajneri i Spanjës nuk pati asnjë dilemë kur u pyet se cilët janë lojtarët që mund të marrin vendin e dy ikonave të futbollit. Zgjedhja e tij ishte e qartë: Kylian Mbappé dhe Lamine Yamal.

“Mbappé dhe Yamal janë futbollistë të një dimensioni tjetër”, deklaroi De la Fuente, duke bërë një dallim të qartë edhe me emra të tjerë të mëdhenj si Raphinha dhe Jude Bellingham.

Sipas trajnerit spanjoll, Mbappé dhe Yamal kanë diçka të veçantë që i vendos mbi pjesën tjetër të yjeve të brezit të ri. Të dy kanë marrë tashmë një rol protagonisti në skuadrat e tyre dhe pritet të jenë ndër figurat kryesore të futbollit botëror në vitet e ardhshme.

De la Fuente foli gjithashtu për mënyrën se si menaxhon egot brenda kombëtares spanjolle. Ai pranoi se në disa raste i është dashur t’i “ulë me këmbët në tokë” lojtarët, por gjithmonë duke u përpjekur të mos dëmtojë harmoninë e grupit.

“Nëse dikush ka qenë i pakorrigjueshëm, nuk është kthyer më”, tha ai, duke lënë të kuptohet se në kombëtare nuk ka vend për sjellje që dëmtojnë skuadrën.

Trajneri spanjoll zbuloi gjithashtu se përpiqet të mos lexojë atë që shkruhet në media për të dhe ekipin. “Kush thotë se nuk ndikohet nga ato që thonë për të, nuk e besoj. Gjithmonë ndikon diçka”, u shpreh De la Fuente.

Për të, kjo qasje i mundëson të marrë vendime të vështira më lirshëm, edhe kur bëhet fjalë për të lënë në stol lojtarë të rëndësishëm.

Megjithatë, kur vjen puna tek pasardhësit e Messit dhe Ronaldos, De la Fuente duket se e ka bërë zgjedhjen e tij: Mbappé dhe Yamal janë dy emrat që, sipas tij, qëndrojnë në një kategori më vete.