Eurodeputeti kroat dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka kërkuar një ndryshim të qasjes së Bashkimit Evropian ndaj autoriteteve në Beograd, pas funeralit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.
Picula tha se Serbia po zgjedh rrugën e saj, por nëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të refuzojë revizionizmin historik dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Sipas tij, një politikë më e ashpër ndaj Beogradit është e nevojshme, pasi “Serbia e Vuçiçit është destabilizuesi kryesor i marrëdhënieve në Evropën Juglindore”.
Në një paraqitje në emisionin “Dnevnik” të HRT-së, Picula vlerësoi se varrimi i Mlladiqit, i dënuar përfundimisht për gjenocid, duhet të shërbejë si pikë kthese në marrëdhëniet e BE-së me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
“Varrimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, i cili u dënua përfundimisht për gjenocid, duhet ta ndryshojë në thelb politikën e gjatë të paqësimit ndaj Aleksandar Vuçiçit nga Bashkimi Evropian”, tha Picula.
Ai kritikoi veçanërisht Komisionin Evropian dhe disa prej shteteve anëtare më me ndikim për qasjen e tyre ndaj Beogradit.
“Udhëheqësit evropianë duhet më në fund të kalojnë nga faza e shokut në fazën e reagimit ndaj asaj që Vuçiç ka bërë vazhdimisht për vite me radhë. Imuniteti i tij nga sanksionet duhet më në fund të hiqet dhe politika e nënshtrimit ndaj regjimit duhet të refuzohet”, u shpreh ai.
Sipas Piculës, një qeveri e tillë nuk mund të trajtohet më si një partner i privilegjuar dhe i paprekshëm i Brukselit në Ballkanin Perëndimor.
Ai foli edhe për zhvillimet në Bosnje e Hercegovinë pas funeralit të Mlladiqit, ku Ministri i Punëve të Jashtme, Elmedin Konakoviç, njoftoi dëbimin e dy personave nga Ambasada e Serbisë, ndërsa në ceremoninë mortore morën pjesë edhe përfaqësues të udhëheqjes politike të Republika Srpskas.
“Funerali i një krimineli të dënuar lufte duhet të ketë pasoja për marrëdhëniet në Evropën Juglindore, e cila ende nuk i ka përthithur as përafërsisht pasojat e agresionit. Bosnja e Hercegovina është gjithashtu në periudhën parazgjedhore dhe kjo i hedh benzinë zjarrit në marrëdhëniet tashmë të tensionuara në vend”, tha Picula.
Ai theksoi se në Parlamentin Evropian po rritet mbështetja për masa më të ashpra ndaj Serbisë. Përfaqësues të katër grupeve kryesore politike në PE i kanë dërguar letër Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, duke kërkuar reagim nga Komisioni Evropian, ndërsa është shtuar numri i zërave që kërkojnë ngrirjen ose pezullimin e procesit të anëtarësimit të Serbisë.
Picula tha se një pjesë e eurodeputetëve e kanë mbështetur prej vitesh një mundësi të tillë dhe se tashmë vëmendja është te Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Sipas tij, rëndësi të veçantë do të ketë nëse von der Leyen, njësoj si Marta Kos, do ta anulojë vizitën e planifikuar në Beograd dhe çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj autoriteteve serbe në fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit në Strasburg.
“Ka ardhur koha për të ndryshuar situatën shumë qartë dhe për të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër regjimit në Beograd”, theksoi Picula.
I pyetur nëse ende ka hapësirë për diplomaci dhe nëse Beogradi mund të heqë dorë publikisht nga glorifikimi i Mlladiqit, eurodeputeti kroat tha se nuk është optimist.
“Vuçiç kishte 12 vjet për të realizuar atë që premtoi të bënte në Serbi. Asgjë nga kjo nuk ndodhi. Është e vështirë të pritet që Vuçiç të ndryshojë diçka deri në ditën e zgjedhjeve. Hapësira për diplomaci po ngushtohet”, përfundoi Picula.


