Trump nderon heronjtë e 11 Shtatorit: `Nuk do të harrojmë kurrë`

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, duke rikonfirmuar zotimin e SHBA-së për të mos harruar kurrë mijëra personat që humbën jetën në atë ditë.

Në një ceremoni të zhvilluar më 8 shtator pranë Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se, 25 vjet pas sulmeve, amerikanët mblidhen për të rikonfirmuar “betimin e shenjtë” të bërë një çerek shekulli më parë: “Nuk do të harrojmë kurrë.”

Në kuadër të ceremonisë, Trump nderoi edhe Welles Crowther, i njohur si “Njeriu me shaminë e kuqe”, i cili humbi jetën duke shpëtuar njerëz në Kullën Jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë.

Trump i akordoi Crowther, pas vdekjes, Medaljen Presidenciale të Lirisë, ndërsa medaljen në emër të tij e pranuan nëna dhe motra e tij. Crowther, atëherë 24-vjeçar, u bë simbol i heroizmit gjatë sulmeve të 11 Shtatorit, pasi u kthye disa herë në ndërtesën e dëmtuar për të ndihmuar persona të tjerë të dilnin në siguri.

Sulmet e 11 Shtatorit 2001 shkaktuan vdekjen e afro 3 mijë personave në Nju Jork, Pentagon dhe në fluturimin 93, ndërsa këtë vit SHBA-ja shënon 25-vjetorin e sulmeve terroriste.

Trump dhe nënpresidenti JD Vance pritet të marrin pjesë edhe në ceremonitë përkujtimore që do të zhvillohen më 11 shtator, në 25-vjetorin e sulmeve.