Rreth 100 motoristë sollën spektakël në rrugët e Dibrës

Në kuadër të Kalendari Veror të Komunës së Dibrës, u zhvillua “Dibra Moto Cross 2026”, një aktivitet sportiv i veçantë që solli adrenalinë, shpejtësi dhe spektakël për qytetarët dhe të gjithë të pranishmit. Motorët, garat dhe performancat spektakolare krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme në Dibër, duke e kthyer këtë aktivitet në një nga momentet më të veçanta të programit veror. Organizatore ishte shoqata e motoristëve dibranë “Moto Kros Dibra”.

Në startin e aktivitetit sportiv, kryetari i Dibrës, Fisnik Mela, tha se Komuna e Dibrës vazhdon të mbështesë aktivitetet sportive, kulturore dhe argëtuese, me qëllim që Kalendari Veror të sjellë sa më shumë ngjarje të bukura për qytetarët, të rinjtë dhe vizitorët.

Motoristi i njohur dibran, Taulan Perçe, për gazetën KOHA deklaroi se numri i pjesëmarrësve në këtë aktivitet është afër 100 dhe se ka motoristë nga disa qytete të Maqedonisë së Veriut, si dhe motoristë nga Kosova. “Klubi në themelim ‘Moto Kros Dibra’ organizoi këtë aktivitet. Kemi motoristë të njohur nga vendi dhe Kosova dhe, pas prezantimit të motoristëve me aktivitete të ndryshme, do të vijojmë rrugën për në fshatin malor Lazaropole. Pastaj do të kthehemi në Dibër, po ashtu duke performuar në oborrin e Shkollës Fillore ‘Penestia’”, tha Perçe.

Dibranët që ndoqën këtë aktivitet vlerësuan se “Dibra Moto Cross 2026” ishte një kombinim i sportit, adrenalinës dhe spektaklit në Dibër, por edhe një mënyrë për promovimin e sportit me motorë. (V.S)