Pamje të pazakonta janë zbuluar këtë të martë në bodrumin e ish-Shkollës Teknike në Obiliq, ku sipas gazetares së Klan Kosova, Endrita Bajrami, janë ngritur dyshime për mundësinë e ekzistimit të një laboratori të përdorur për kultivimin apo përpunimin e lëndëve narkotike.
Gjatë punimeve për pastrimin e objektit, në hapësirat e bodrumit janë gjetur materiale të panjohura, përfshirë thasë të varur në tavan, ndërsa është vërejtur edhe një gropë e madhe në njërën prej hapësirave.
Fotot e siguruara nga Klan Kosova paraqesin pamje që kanë shkaktuar shqetësim dhe kanë nxitur dyshime për aktivitet të mundshëm të paligjshëm në këtë objekt.
Megjithatë, sipas informacioneve të gazetares Bajrami, nuk ka dyshime se në këtë lokacion bëhet fjalë për varrezë masive.


