Ekonomia globale përballet përsëri me perspektivën e naftës në 100 dollarë për fuçi, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon të përshkallëzohet.
Nafta e papërpunuar Brent është rritur sërish mbi 98 dollarë për fuçi këtë javë, duke prekur nivelin më të lartë që nga 24 korriku. Rritja e çmimeve vjen pas raportimeve se Huthitë e Jemenit, të lidhur me Iranin, kanë sulmuar objekte energjetike në Arabinë Saudite.
Autoritetet saudite thanë se operacionet në disa objekte energjetike u ndërprenë sot pas sulmeve nga Huthitë e Jemenit, të cilat plagosën më shumë se 70 persona.
Sulmet shtojnë presionin mbi prodhimin e naftës dhe gazit në rajon, i cili tashmë është dëmtuar rëndë nga lufta e vazhdueshme me Iranin.
Financial Times raportoi se objektet e naftës të Saudi Aramco në qytetin Jizan të Arabisë Saudite, ku ndodhet një nga rafineritë më të mëdha të vendit, janë sulmuar.
Më herët gjatë ditës së sotme, Irani kërcënoi se do të krijojë një zonë të re të kufizuar në Gjirin Persik nëse SHBA-ja do të vazhdojë me “luftën e saj ekonomike” kundër Teheranit.
Një zonë e tillë, nëse zbatohet, do të dëmtonte më tej përpjekjet e SHBA-së për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
Në këtë klimë pasigurie, Donald Trump parashikon një rënie të ndjeshme të çmimeve të naftës dhe benzinës nëse Shtetet e Bashkuara triumfojnë ndaj Iranit, duke e lidhur drejtpërdrejt rezultatin e konfliktit me zhvillimet në tregun e energjisë.
Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan pohoi se, pas një “fitoreje” të SHBA-së, çmimet do të binin ndjeshëm. Sipas tij, çmimi i benzinës në pompa fillimisht mund të arrinte në “3 dollarë për gallon”, ndërsa më pas mund të zbriste edhe “nën 2 dollarë për gallon”.


