35-vjetori i pavarësisë,Ahmeti : Është një moment për të kujtuar rrugën nëpër të cilën kemi kaluar si shtet dhe për të menduar se çfarë shteti duam t’ua lëmë gjeneratave që vijnë!

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë, ka përcjellë urime për qytetarët, duke theksuar se barazin dhe  Marrëveshja e Ohrit, shkruan Top24.

Postimi plotë:

Të dashur qytetarë,

35-vjetori i pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është një moment për të kujtuar rrugën nëpër të cilën kemi kaluar si shtet dhe si shoqëri, por edhe për të menduar seriozisht se çfarë shteti duam t’ua lëmë gjeneratave që vijnë.

Ky shtet nuk u ndërtua në një ditë dhe as vetëm nga një komunitet. Por, për shumë vite, një pjesë e qytetarëve të tij, shqiptarët dhe komunitetet e tjera joshumicë, nuk u ndjenë pjesë e barabartë e tij. Ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, mënyra se si u ndërtua rendi kushtetues në fillim të viteve ’90 dhe përjashtimi i shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nga proceset vendimtare të krijimit të shtetit, krijuan një hendek të thellë ndërmjet shtetit dhe një pjese të qytetarëve të tij.

Kjo ishte padrejtësi historike, por edhe një model i paqëndrueshëm shtetëror.

Viti 2001 ishte pikërisht përballja me këtë realitet.

Marrëveshja Paqësore e Ohrit nuk ndryshoi vetëm disa dispozita të Kushtetutës. Ajo ndryshoi filozofinë e funksionimit të shtetit. E zhvendosi vendin nga logjika e dominimit të shumicës drejt parimit të bashkëjetesës, barazisë dhe përgjegjësisë së përbashkët.

Shqiptarët nuk kërkuan shtet tjetër. Përkundrazi, u zotuan se do ta ndërtojnë bashkë këtë shtet.

Që nga atëherë, rruga nuk ka qenë e lehtë. Integrimi i një komuniteti që për dekada ishte mbajtur larg institucioneve, administratës, kulturës, arsimit dhe jetës publike nuk mund të ndodhte brenda natës. U deshën reforma, përpjekje politike dhe mbi të gjitha ndryshim i mendësisë.

Në këtë proces, Bashkimi Demokratik për Integrim e ka parë integrimin e shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë jo si përjashtim të dikujt tjetër, por si ndërtim të një shteti më funksional, më demokratik dhe më të barabartë.

Ky është edhe thelbi i Marrëveshjes Paqësore së Ohrit.

Njëzet e pesë vjet më pas nga Ohri, është e rëndësishme të mos harrojmë se rezultatet e saj nuk i përkasin vetëm një komuniteti apo një partie. Ato janë pjesë e transformimit të vetë shtetit.

Marrëveshja e Ohrit e forcoi shtetin unitar duke e bërë atë më demokratik. E bëri më të qëndrueshëm duke e bërë më gjithëpërfshirës. Dhe krijoi një bazë mbi të cilën vendi vazhdoi rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Prandaj, çdo përpjekje për ta paraqitur Marrëveshjen e Ohrit si kërcënim për shtetin është kthim pas në një debat që historia tashmë e ka dhënë përgjigjen.

Sot, shqetësimi im nuk është vetëm për atë që është arritur, por edhe për atë që mund të humbet nëse harrojmë pse u deshën ndryshimet e vitit 2001.

Shqetësohem kur shoh përjashtim në përfaqësim, pengesa në përdorimin e gjuhëve, mospërfshirje në kulturë e në jetën publike apo përpjekje për t’i minuar ose relativizuar parimet mbi të cilat u ndërtua paqja. Duhet të jemi të kujdesshëm.

Sepse shtetet nuk dobësohen nga barazia.

Shtetet dobësohen kur qytetarët e tyre fillojnë të ndihen të përjashtuar.

Maqedonia e Veriut që unë e kam besuar dhe për të cilën kam punuar është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, shtet unitar, demokratik, evropian dhe i ndërtuar mbi barazinë dhe respektin e ndërsjellë.

Shqiptarët kanë dhënë dhe do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në ndërtimin dhe forcimin e tij. Por, për këtë, duhet të ketë vullnet të përbashkët që secili qytetar ta ndiejë këtë vend si të vetin dhe çdo komunitet të shohë veten në institucionet e tij.

Në 35-vjetorin e pavarësisë, mesazhi im është i thjeshtë:

Ta ruajmë atë që kemi ndërtuar së bashku dhe ta çojmë përpara.

Të mos kthehemi te politikat që ndajnë, por të ecim drejt një shteti që bashkon.

Sepse e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk ndërtohet duke zvogëluar të drejtat e dikujt, por duke rritur besimin ndërmjet të gjithëve.

Urime 35-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut!

Përpara, bashkë!
*********