Friedrich Merz: “Dorëzimi nuk është një opsion për mua”

Kryetari i CDU-së dhe kancelari federal Friedrich Merz ka njoftuar pasoja pas fitores zgjedhore të AfD-së në Saksoni-Anhalt dhe humbjes së partisë së tij. “Të gjithë jemi thellësisht të tronditur”, tha Merz pas mbledhjeve të organeve drejtuese të CDU-së në Berlin. “Nuk e kishim pritur këtë në këtë formë.” Ai tha se rezultati duhet pranuar natyrisht, pasi këto janë rregullat e demokracisë. “Por me ditën e djeshme nuk ka ndryshuar vetëm Saksoni-Anhalti, por e gjithë Gjermania.”

Sipas Merzit, kjo është “humbja më e rëndë zgjedhore që CDU-ja ka pësuar prej vitesh, madje prej dekadash”. “Kjo natyrisht do të duhet të ketë pasoja.” Ai theksoi se CDU-ja nuk mund të vazhdojë thjesht rutinën e përditshme. Rezultati i zgjedhjeve ka shkaktuar tronditje të mëdha si në vend, ashtu edhe brenda CDU-së. Ai tha se do të përpiqet t’i përgjigjet seriozitetit të situatës.

Merz shtoi se rezultati zgjedhor e prek edhe personalisht. Ai ka ndikim gjithashtu në situatën ndërkombëtare dhe po ndiqet me vëmendje edhe jashtë Gjermanisë.

“Institucionet tona janë të forta dhe të qëndrueshme”

Merz nuk po shqyrton pasoja personale për veten. “Dorëzimi nuk është një opsion për mua.” Ai tha se e di “se të gjithë së bashku duhet të bëhemi më të mirë. Dhe po kërkoj mënyra se si mund ta arrijmë këtë.” Bëhet fjalë që edhe brezat e ardhshëm të mund të jetojnë në liri, paqe dhe siguri. Për këtë ai dëshiron të marrë përgjegjësi. “Dhe nga kjo përgjegjësi nuk do të largohem.”

Ajo që Merzpremton të ndryshojë është mënyra se si ua shpjegon njerëzve politikën: “Është detyrimi im. Në javët dhe muajt e ardhshëm do të përpiqem ta bëj ndryshe, ta bëj më mirë. Bindjet e mia themelore nuk ndryshojnë.”

Merz kishte thënë në fillim se do ta përgjysmonte AfD-në, ndërkohë që zgjedhjet në Saksoni-Anhalt përgjysmuan CDU-në e tij. Për Merzin, presioni sa vjen e rritet. Pas dy javësh mbahen dy zgjedhje të tjera rajonale: në Mecklenburg-Vorpommern dhe në Berlin.

Edhe kryeministri i Saksoni-Anhaltit, Sven Schulze, njoftoi pasoja. “Unë kam kandiduar si kandidati kryesor dhe, natyrisht, do të nxjerr përfundimet përkatëse nga kjo”, tha politikani i CDU-së. Ai njoftoi se do t’i paraqesë bordit drejtues të partisë në nivel rajonal një propozim për procedurën e mëtejshme.

Kandidati kryesor i CDU-së e cilësoi rezultatin si një humbje të rëndë. “Ne, si CDU, nuk kemi më mandat për të qeverisur; tani jemi në opozitë. Mandati për të qeverisur tani i takon AfD-së.”

AfD fitoi zgjedhjet për parlamentin rajonal të Saksoni-Anhaltit me një epërsi të madhe, por nuk arriti shumicën absolute. CDU-ja u rendit në vendin e dytë, duke pësuar humbje të konsiderueshme. / DW