Përshkallëzohen sulmet në Hormuz, rritet nafta/ Një fuçi arrin në 97 dollarë, niveli më i lartë në dy muaj

Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është rritur sërish, duke arritur në 97 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në gati dy muaj. Rritja vjen në një kohë kur sulmet mes SHBA-së dhe Iranit ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit kanë shtuar shqetësimet për furnizimin me naftë nga Lindja e Mesme.

Nafta Brent arriti në 97 dollarë gjatë së hënës, ndërsa gjatë javës së kaluar çmimi ishte rritur me rreth 8%. Tregjet po reagojnë ndaj rrezikut që përshkallëzimi i konfliktit të pengojë për një periudhë më të gjatë transportin dhe furnizimin me naftë.

Forcat amerikane goditën të shtunën tre anije cisterna iraniane, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së. Një prej tyre u godit pranë ishullit Kharg, në një zonë të rëndësishme për eksportet e naftës iraniane.

Ndërkohë, trafiku i anijeve në Ngushticën e Hormuzit ka rënë ndjeshëm. Sipas të dhënave të Kpler, gjatë javës së fundit kanë kaluar mesatarisht vetëm 10 anije mallrash në ditë, niveli më i ulët që nga maji.

“Mund të kërcënojë ekzistencën e njerëzimit”/ OKB paralajmëron për rrezikun e inteligjencës artificiale
OPEC+ ka mbajtur të pandryshuar politikën e prodhimit për muajin tetor, ndërsa tregjet presin të shohin nëse situata në Lindjen e Mesme do të ndikojë më tej te furnizimi global.

Analistët paralajmërojnë se një përshkallëzim i zgjatur ushtarak mund të vonojë rikthimin e plotë të furnizimit me naftë.