Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta mbajë të fshehur ‘shumën’ të cilën e ka paguar për koncertet e organizuara me rastin e 35 vjetorit të pavarësisë, ku nesër pritet të mbahet edhe koncerti më i madh nga DJ me famë botërore David Guetta, shkruan Portalb.mk.
Portalb.mk ka kërkuar të dhëna të detajuara nga Qeveria lidhur me harxhimet për koncertet e mbajtura në disa qytete të vendit, si dhe për koncertin e ditës së nesërme në Shkup. Por nga ekzekutivi nuk përgjigjen.
Sa para nga buxheti i shtetit do të shpenzohen për performancën e Devid Getës, të organizuar nga Qeveria dhe produksioni “Avalon”?
Kjo ishte pyetja e cila iu parashtrua dhe e nervozoi Boban Milloshevskin nga kompania ‘Avalon’ të cilët e organizojnë koncertin e nesërm.
“A të dukem unë si idiot? Unë thashë se për çfarë është konferenca. A keni ndonjë pyetje në kontekst të konferencës?… Konferenca është në funksion të sigurisë dhe organizimit të koncertit të Devid Getës. Kjo pyetje është bërë disa herë në konferencat e tjera për shtyp të përfaqësuesve të Qeverisë, të cilët duhet t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Unë nuk jam ai që duhet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Unë jam organizatori i koncertit të Devid Getës”, tha Miloshevski.
Sipas informatave jozyrtare, organizimi i të gjitha koncerteve me rastin e pavarësisë ka kushtuar disa milionë euro.
Në prag të 35 vjetorit të pavarësisë së vendit dhe 25 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta anashkalojë gjuhën shqipe dhe shqiptarët, të cilët përbëjnë rreth 30 përqind të popullsisë.
Shqiptarët dhe gjuha shqipe janë anashkaluar në videoklipin për 35 vjetorin e pavarësisë së vendit i publikuar nga Qeveria dhe kryeministri Hristijan Mickoski. Përveç se videoklipi nuk është i përkthyer në shqip, në përmbajtje nuk ka thuajse asnjë element shqiptar, me raste paraqiten disa sekuenca nga Çarshia e Vjetër e Shkupit, por pa asnjë kontekst i cili asocon te shqiptarët.
Portalb.mk kërkoi nga Qeveria se pse gjuha shqipe dhe shqiptarët janë përjashtuar nga ky videoklip, por nuk morëm përgjigje. Pavarësisht se VLEN është në Qeveri nga atje u arsyetua se nuk e kanë parë spotin e 35 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ku janë anashkaluar shqiptarët.
Artistët shqiptarë dhe gjuha shqupe nuk u dëgjuan as në koncertet e karavanit “Fort shkëlqeu dita“ të cilat u mbajtën në disa qytete të vendit. Ndërkaq pas bujës në opinion për këtë problem, një javë më vonë, më 15 shtator do të ketë koncert në Tetovë ku do të performojë Elita 5.


