Me 175 nxënës të regjistruar dhe me një mision të qartë për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj, Shkolla e Gjuhës Shqipe në Miçigen është gati të nisë vitin e ri shkollor më 14 shtator.
Drejtori i shkollës, Agron Dedivanaj, ka bërë të ditur se përgatitjet për vitin e ri shkollor kanë përfunduar dhe se shkolla do t’i mirëpresë nxënësit me të njëjtin përkushtim ndaj gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare.
“Me kënaqësi dhe krenari ju njoftojmë se këtë vit shkollor e fillojmë me 175 nxënës, të cilët do të vazhdojnë të mësojnë, ruajnë dhe kultivojnë gjuhën shqipe, kulturën dhe traditat tona”, shprehet Drejtori Agron Dedivanaj.
Ai thekson se numri i nxënësve është një dëshmi e rëndësishme e interesimit të familjeve shqiptare për edukimin në gjuhën amtare dhe për ruajtjen e lidhjes së fëmijëve me rrënjët e tyre.
Në fillim të vitit shkollor, nxënësve do t’u shpërndahen edhe abetaret e dhuruara, të cilat do t’u shërbejnë gjatë procesit të mësimit.
Shkolla e Gjuhës Shqipe financohet, organizohet dhe realizohet nga Shoqata “Jehona e Malësisë”, falë mbështetjes së donatorëve të devotshëm. Drejtori Dedivanaj shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar për të bërë të mundur funksionimin e shkollës dhe vazhdimin e misionit të saj.
“Mirënjohja jonë më e thellë u takon të gjithë atyre që me kontributin, përkushtimin dhe mbështetjen e tyre bëjnë të mundur që fëmijët tanë të kenë mundësinë të mësojnë shqip dhe të ruajnë lidhjen me gjuhën, kulturën dhe rrënjët e tyre”, deklaron Dedivanaj.
Drejtori Agron Dedivanaj ka bërë gjithashtu të ditur se regjistrimi për nxënës të rinj vazhdon.
Ai fton prindërit dhe familjet shqiptare në Miçigen që dëshirojnë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe, të njihen më mirë me kulturën, historinë dhe traditat shqiptare dhe të forcojnë lidhjen me rrënjët e tyre, që të bëhen pjesë e shkollës.
“Le të vazhdojmë së bashku këtë mision fisnik, që gjuha shqipe të jetojë, të flitet dhe të përcillet brez pas brezi”, është mesazhi i Drejtorit Agron Dedivanaj për komunitetin shqiptar.
Për regjistrim dhe informacione të mëtejshme: 586-346-3645
Me 175 nxënës në prag të vitit të ri shkollor, Shkolla e Gjuhës Shqipe në Miçigen vazhdon të jetë një pikë e rëndësishme e përpjekjeve të komunitetit shqiptar për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Ja postimi i plotë:
NJOFTIM PUBLIK – FILLIMI I VITIT TË RI SHKOLLOR
Të dashur bashkatdhetarë, prindër, nxënës dhe miq të Shkollës së Gjuhës Shqipe në Miçigen,
Prindërit dhe nxënësit tanë janë njoftuar tashmë personalisht për fillimin e vitit të ri shkollor, por dëshirojmë që këtë lajm ta ndajmë edhe publikisht me gjithë komunitetin tonë, veçanërisht me familjet që dëshirojnë që fëmijët e tyre t’i bashkohen mësimit të gjuhës shqipe.
Mësimi i gjuhës shqipe për këtë vit shkollor do të fillojë më 14 shtator.
Me kënaqësi dhe krenari ju njoftojmë se këtë vit shkollor e fillojmë me 175 nxënës, të cilët do të vazhdojnë të mësojnë, ruajnë dhe kultivojnë gjuhën shqipe, kulturën dhe traditat tona.
Në fillim të vitit shkollor, nxënësve do t’u shpërndahen edhe abetaret e dhuruara që kemi pranuar për ta.
Shkolla e Gjuhës Shqipe financohet, organizohet dhe realizohet nga Shoqata “Jehona e Malësisë”, falë mbështetjes së donatorëve tanë të devotshëm, të cilët ndër vite kanë dëshmuar se ruajtja dhe përcjellja e gjuhës shqipe te brezat e rinj është mbi çdo gjë tjetër.
Mirënjohja jonë më e thellë u takon të gjithë atyre që me kontributin, përkushtimin dhe mbështetjen e tyre bëjnë të mundur që fëmijët tanë të kenë mundësinë të mësojnë shqip dhe të ruajnë lidhjen me gjuhën, kulturën dhe rrënjët e tyre.
REGJISTRIMI PËR NXËNËS TË RINJ VAZHDON!
Ftojmë të gjithë prindërit dhe familjet shqiptare që dëshirojnë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe, të njohin më mirë kulturën, historinë dhe traditat tona dhe të krijojnë një lidhje më të fortë me rrënjët e tyre, që të bëhen pjesë e shkollës sonë.
Për regjistrim ose informacione të mëtejshme, na kontaktoni në:
586-346-3645
Le të vazhdojmë së bashku këtë mision fisnik, që gjuha shqipe të jetojë, të flitet dhe të përcillet brez pas brezi.
Mirë se vini në vitin e ri shkollor!
Me respekt,
Agron Dedivanaj
Drejtor i Shkollës së Gjuhës Shqipe



