BDI ngre 7 pyetje për arsimin në Tetovë: “Ku janë 100 eurot për nxënësit dhe pse mungon transparenca?”

Bajram Rexhepi kërkon përgjigje publike nga Komuna e Tetovës për menaxhimin e shkollave, paralelet, drejtorët dhe fondet.

BDI – Dega Tetovë ka dalë me një reagim publik, duke adresuar shtatë pyetje ndaj Komunës së Tetovës lidhur me gjendjen në arsimin fillor dhe të mesëm, menjëherë pas nisjes së vitit të ri shkollor informon Tetovasot.

Përmes një deklarate, kryetari i degës, Bajram Rexhepi, kërkon sqarime për numrin e paraleleve të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe nëse ato përputhen me vendimet e Këshillit Komunal, duke pyetur se në cilat shkolla janë shkurtuar paralelet.

BDI kërkon gjithashtu të dijë nëse Komuna posedon një plan strategjik për optimizimin e arsimit, kur do të realizohet premtimi për ndarjen e 100 eurove për nxënësit e klasave të para dhe kush financon trajnimet profesionale që, sipas tyre, po u faturohen shkollave.

Në deklaratë ngrihen edhe dilema për drejtimin e disa shkollave nga ushtrues detyre për një periudhë të gjatë, mungesën e konkurseve për drejtorë, si dhe për numrin e proceseve gjyqësore të fituara nga mësimdhënësit dhe koston që këto konteste kanë pasur për buxhetin publik.

Një tjetër çështje që ngre opozita lidhet me kërkesën e Komunës për mbledhjen e të dhënave personale të punonjësve të shkollave, përfshirë numrin amë, adresën, telefonin dhe xhirollogarinë bankare, për të cilat kërkohet të sqarohet baza ligjore dhe mënyra e mbrojtjes së tyre.

BDI thekson se pas çdo vendimi të Komunës ka pasoja të drejtpërdrejta për nxënësit, mësimdhënësit dhe shkollat, duke kërkuar transparencë, përgjegjësi institucionale dhe llogaridhënie. Sipas Bajram Rexhepit, në ditët në vijim do të publikohen edhe pyetje e analiza të tjera që, sipas tij, lidhen me keqmenaxhimin në arsimin e Komunës së Tetovës.