RINGJALLJA E “PROCESIT” TË KAFKËS NË MAQEDONINË E VERIUT

Shkruan: Seladin Xhezairi

I botuar këtu e para një shekulli (1925), romani “PROCESI” i Franc Kafkës, me të drejtë, sikurse e ka cilësuar kritika letrare, radhitet ndër kryeveprat e letërsisë botërore që ngërthen një alegori të përkryer filozofike për absurditetin e ekzistimit të njeriut përballë sistemeve të padukshme, të fuqishme, burokratike. Për kryeprotagonistin Jozef K. dikush kishte shpifur dhe kjo kishte mjaftuar që ai të sorrollatej në kërkim të drejtësisë: fajësia nuk qe provuar, ndonëse ai rendëte për drejtësinë në labirintet e sistemit të praprekshëm e të padukshëm të sistemit gjyqësor-burokratik.

“Kam harruar t’ju pyes: Ç’lloj pafajësie parapëlqen zotëria juaj; ka tri lloje pafajsishë: ajo e vërteta, ajo sa për sy e faqe dhe shtyrja e afatit…”- janë këto pyetjet e një piktori të “ndershëm” që sorrollatet nëpër mjediset e errëta të gjykkatës pa dritë.

Duket se procesi gjyqësor që po zhvillohet kundër Artan Grubit të cilit drejtësia maqedonase i është vënë në shpinë që nga gjysama e dhjetorit të vitit 2024 është i frymëzuar pikërisht nga romani i Kafkës! Rikujtojmë se Grubi, në cilësinë e ish-zëvendëskryeministrit të parë të RMV-së, dhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, së bashku me gjashtë të tjerë, në fillim ishin akuzuar për përvetësim të pasurisë së paligjshme. Në fakt, Prokuroria i akuzoi për “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, se për ta kishte dyshime të bazuara se kanë marrë pjesë në kinse shpërdorimin e rreth tetë milion eurove përmes sigurimit të aparateve VLT dhe se me vendimet e marra dhe marrëveshjet e lidhura Lotarisë së Maqedonisë së Veriut i qenka shkaktuar një dëm prej rreth 500 milion denarësh. Ndërkaq, çuditërisht në procesin që nisi fundmuajin e kaluar, të njëjtët aktakuza i ngarkon për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare”.

Një proces tamam si PROCESI i Kafkës që nxjerr zbuluar cullak sistemin e drejtësisë! Për shkak se për herë të parë në këto 35 vjet që kur Maqedonia u bë shtet i pavarur, procedohet një kryesues i seancës qeveritare në të cilën është marrë një vendim – kolektiv! Së këndejmi, labirinti i ngritur ka për të qenë më shumë sfidues për gjyqësinë maqedonase sesa për vet Grubin dhe të dyshuarit e tjerë. Fundja, pas çdo ndërrimi të pushtetit nuk është se nuk fillon sezoni i “gjuatjes së shtrigave”, por rasti konkret është dëshmia më e mirë e një procesi të montuar politik, mbase për të dëshmuar “vendosmërinë” e pushtetit të ri për “luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar”, një betejë kjo e shumëdëshiruar edhe nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, zhvillimet që po ndodhin paralelisht me këtë proces, përmes vjetërimit lëndëve dhe mbylljes së syve para hajnive të këtij gjysmëmandati të ekzekutivit maqedonas, shpërfaqin atë që quhet drejtësi selektive apo ekskluzive, madje-madje pa kurrfarë karari! Sepse, për përgjegjësinë juridike të Zëvendëskryeministrit të Parë, Artan Grubi, në fakt të të gjithë bartësve të pushtetit ekzekutiv (kryeministrit dhe ministrave) për këtë apo ndonjë rast tjetër është dashur të vendoset në parlament. Zatën, këtë e thotë shumë qartë neni 92 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut: “Qeveria dhe çdo anëtar i saj, për punën e vet përgjigjen para Kuvendit”. Këtë të drejtë të impeachment-it kanë mundur ta inicojnë deputetët e opozitës së atëhershme maqedono-shqiptare. Këtë, ashiqare nuk e bënë, prandaj jemi këtu ku jemi: Është në natyrën e pushtetit të bëj çudira, por – me karar. Sepse, kjo që po ngjet po i ringjallë protagonistët e PROCESIT të Kafkës e që, fatkeqësisht, nuk flet mirë për një vend të mëton të bëhet pjesë e familjes evropiane. Nuk flet dhe prandaj kemi Procesin e sotëm, modern, të Kafkës, me gjithë protagonistët e tij, të fajshëm e të pafajshëm!