“Abdixhiku e dinte se nuk i ka votat për Sejdiun”, Haziri thotë se ka paralajmëruar që duhet bashkëpunim me deputetët e LDK

Lumir Abdixhiku e ka ditur se Bekim Sejdiu nuk i ka votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës për President edhe në momentin që po e prezantonte si kandidat në një konferencë për media me Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Kështu ka thënë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri – i cili ishte pjesë e takimeve që Abdixhiku bënte me Kurtin – në një intervistë për VOX Kosova.

“Po”, u përgjigj drejtpërdrejtë Haziri kur u pyet nëse Abdixhiku i dinte që nuk i kishte të gjitha votat e deputetëve të LDK-së për Sejdiun.

“Edhe para atij takimit, në bisedë me Abdixhikun, nuk është çështje orësh, është çështje ditësh që unë e kam thënë se ndërtimi bashkëpunimit në Grupin Parlamentar e determinon bashkëpunimin me partnerë të tjerë, në këtë rast me Vetëvendosjen. Nëse nuk arrijmë me ndërtu unitet funksional dhe të besueshëm për një kandidat, LDK-ja duhet me pasë parasysh që nuk mund të përballohen proceset e tjera”, tha ai.

Abdixhiku deklaronte se Bekim Sejdiu është kandidat i propozuar nga LDK. Por, Haziri tregon se emri i tij u propozua nga të dyja partitë, pra edhe nga VV.

“Edhe i LDK-së ka qenë. Jo vetëm i LDK-së. Modeli që e kemi përcaktu për propozime ka qenë ky që secila palë t’i ketë nga tri porpozime së paku. Dhe në biseda të përbashkëta mandej të determinohemi për një emër dhe kur jemi shku në takim që janë shpalos emrat, LDK-ja ka dal me tri propozime e saj, VV-ja ka dalë me 10 propozime. Nga 13 propozimet, vetëm një emër ka qenë në dy listat i përfshirë dhe kjo ka qenë determinuese”, potencoi ai.