BotaLajme

Betohet Mbreti i ri i Norvegjisë, Haakon VIII

Mbreti i Norvegjisë, Haakon VIII, është betuar të martën në parlament për besnikëri ndaj kushtetutës së vendit, një hap i rëndësishëm simbolik teksa merr drejtimin e vendit skandinav pas 35 vjetësh të mbretërimit të babait të tij të ndjerë.

Haakon është bërë monark i Norvegjisë pasi Mbreti Harald V vdiq të premten në moshën 89-vjeçare. Ai ka zgjedhur moton “Gjithçka për Norvegjinë”, e cila daton që nga stërgjyshi i tij.

Ai është transportuar me një veturë të hapur në distancën e shkurtër nga pallati mbretëror drejt Stortingut, ose parlamentit. Atje, kryetari i parlamentit, Masud Gharahkhani, ka lexuar njoftimin zyrtar për vdekjen e Haraldit dhe pasardhjen e Haakonit. Më pas, Haakoni, 53 vjeç, ka bërë betimin.

“Premtoj dhe betohem se do ta qeveris Mbretërinë e Norvegjisë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj. Kështu më ndihmoftë Zoti, i Plotfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi”, ka thënë ai.

Monarkia e Norvegjisë ka rrënjë të lashta me origjinën e saj te Mbreti Harald Flokëbukuri në shekullin e nëntë. Kur Norvegjia rifitoi pavarësinë nga Suedia në vitin 1905, tre të katërtat e votuesve në një referendum kombëtar miratuan rikthimin e monarkisë.

Sot, roli i saj është kryesisht simbolik, pasi pushteti qëndron te qeveria e zgjedhur dhe parlamenti, por familja mbretërore e vendit vazhdon të ketë një rol në promovimin e këtij vendi të pasur në mbarë botën.

Të hënën, arkivoli i Haraldit është dërguar në kapelën e pallatit mbretëror në qendër të Oslos, ku do të qëndrojë deri në ceremoninë e varrimit më 9 shtator.

Nga pasditja e së martës deri më 8 shtator, kapela do të jetë e hapur çdo ditë për publikun, në mënyrë që njerëzit të kalojnë pranë arkivolit dhe t’i bëjnë nderimet e fundit. Pallati mbretëror ka thënë në një deklaratë se vizitorëve nuk do t’u lejohet të bëjnë fotografi apo të filmojnë brenda kapelës dhe as të lënë lule apo sende të tjera.

Related Articles

Back to top button
Close
Close