
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se forcat amerikane po godasin objektiva iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, duke paralajmëruar Teheranin kundër kundërpërgjigjes.
“SHBA-ja, teksa po flasim, po godasin objektiva iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Trump i përshkroi goditjet si “të fuqishme dhe në shkallë të gjerë” dhe tha se ato ishin kundërpërgjigje ndaj asaj që ai e quajti “tentativë të dështuar” të Iranit për të vendosur mina detare në ngushticë.
Ai iu referua gjithashtu një sulmi iranian me raketa ndaj një baze amerikane në Jordani, duke theksuar se Irani kishte lëshuar tetë raketa dhe se ato “u rrëzuan të gjitha me sukses”.
Trump paralajmëroi se çdo kundërpërgjigje iraniane do të sillte një reagim më të fuqishëm nga SHBA-ja.
“Nëse shteti i dështuar i Iranit kundërpërgjigjet ndaj këtij sulmi plotësisht të justifikuar, do të goditet sërish, në një nivel shumë më të ashpër dhe më të lartë”, tha ai.
Trump shtoi se një sulm më i madh ishte “në pritje” dhe pretendoi se ai do të linte “shumë pak” nga Irani.
Më herët, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane kishin filluar goditjet ndaj objektivave të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Iran.
Komanda tha se goditjet pasuan “tentativat e IRGC-së për sulme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe ndaj pjesëtarëve të forcave amerikane të dislokuar në rajon”.



