
Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të reja ndaj çdo kompanie apo individi që bën biznes me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, IRGC.
Paralajmërimi është bërë nga Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, gjatë takimeve të ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të G20-ës në Asheville.
Bessent tha se autoritetet amerikane po gjurmojnë aktivet e IRGC-së në mbarë botën dhe se masat e reja do të prekin edhe kompani që bashkëpunojnë me këtë forcë, përfshirë ato që merren me qira të avionëve.
Sipas tij, Irani ndodhet në një “gjendje ekstreme distrese ushtarake”, ndërsa SHBA-ja, siç deklaroi ai, ka dëmtuar rëndë kapacitetet detare dhe ajrore të Iranit, si dhe prodhimin e dronëve.
“Ne do ta asfiksojmë ekonomikisht këtë regjim”, deklaroi Bessent, duke theksuar se Washingtoni ka “tolerancë zero”.
Sanksionet janë pjesë e fushatës së Thesarit amerikan “Operation Economic Outcast”, që synon të ndërpresë burimet financiare të regjimit iranian dhe IRGC-së.
Masat përfshijnë sektorë si bankat, transporti, aviacioni, ari dhe asetet digjitale, ndërsa SHBA-ja po synon edhe rrjetet përmes të cilave Irani ka shmangur sanksionet dhe ka eksportuar naftë.
Bessent paralajmëroi se vendet dhe kompanitë që vazhdojnë të lehtësojnë aktivitetet ekonomike të Iranit mund të përballen me pasoja të rënda, përfshirë përjashtimin nga sistemi financiar i bazuar në dollarin amerikan.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa konflikti dhe sanksionet po ndikojnë edhe në çmimet e energjisë dhe ekonominë globale.



