
Mbyllja e vazhdueshme e shkollave dhe katastrofa demografike në Maqedoninë e Veriut nuk përbëjnë thjesht një krizë statistikore, por kulmin e falimentimit strategjik të një shtrese politike, e cila për më shumë se dy dekada e ka reduktuar shtetin në një mekanizëm zhvatjeje dhe qytetarin në një monedhë këmbimi elektoral.
Ndërsa hapësira rurale zhbëhet nga shpopullimi dhe shkollat mbyllen përfundimisht, elita politike e instaluar në pushtet vazhdon të konsumojë një cinizëm institucional, duke mbuluar dështimet sistemore pas fasadave të fjalëve boshe eurointegruese. Ky klientelizëm i skajshëm dhe keqqeverisje kronike dëshmojnë se si korrupsioni strukturor e shkatërroi perspektivën ekonomike të vendit.
Në këto mori dështimesh, Partia Demokratike Shqiptare mishëron modelin e rezistencës institucionale dhe të artikulimit të mirëfilltë kombëtar. Që nga zanafilla e saj, ajo përfaqësoi bërthamën e emancipimit politik dhe të mbrojtjes së barazisë, duke u shndërruar në mburojë të substancës sonë identitare përballë pragmatizmit afatshkurtër të tregtarëve të votave.
Mbrojtja e kësaj trashëgimie politike qëndron te refuzimi i nënshtrimit dhe te vizioni për decentralizim thelbësor e zhvillim rajonal të ekuilibruar. Anashkalimi i kësaj qasjeje strategjike e la hapësirën publike nën dominimin e grupeve oligarkike partiake.
Ringritja e këtij etosi politik mbetet detyrim i pashmangshëm për të thyer spiralen e degradimit dhe për t’i kthyer jetën institucionale e shoqërore hapësirave tona.



