BotaLajme

Gjermania akuzon Rusinë për komplotin me dron në Leipzig dhe shpall sanksione

Gjermania ka fajësuar Rusinë për një tentativë sulmi me dron në Aeroportin e Leipzigut muajin e kaluar dhe ka njoftuar masa të gjera dhe sanksione kundër Moskës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt, në një konferencë për media në Berlin tha se hetuesit kishin konstatuar se komploti ishte planifikuar nga shërbimet ruse të inteligjencës dhe ishte zbatuar nga operativë të nivelit të ulët.

“Mjetet e përdorura, si konfigurimi i dronit, komponentët e ndryshëm, eksplozivët dhe sistemet e ndezjes, përputhen me ato të njohura nga operacione të tjera hibride të kryera nga Rusia”, tha Dobrindt.

“Një vlerësim i përgjithshëm i tentativës për sulm më 4 gusht në Aeroportin e Leipzigut përputhet me modelin e njohur të operacioneve hibride ruse në Evropë. Të dhënat nga burimet e inteligjencës e mbështesin këtë përfundim, duke treguar për individë që vepruan në emër të strukturave shtetërore ruse”, shtoi ai.

Duke folur në të njëjtën konferencë për media, ministri i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, tha se kishte thirrur ambasadorin rus për t’i përcjellë protestën e Berlinit dhe për ta njoftuar Moskën për masat e qeverisë.

“Konsullata e Përgjithshme ruse në Bonn do të mbyllet më 18 shtator. Marrëveshja për Shtëpinë Ruse në Berlin po ndërpritet”, tha Wadephul.

Qendra kulturore e epokës sovjetike në kryeqytetin gjerman prej kohësh është konsideruar nga zyrtarët perëndimor si një mbulesë e mundshme për veprimtari të inteligjencës.

Wadephul tha se Gjermania ka informuar partnerët e saj në BE dhe NATO për vendimet dhe ka siguruar solidaritetin e tyre.

“Do të propozojmë përfshirjen e individëve të rinj rusë në listën e sanksioneve të BE-së si përgjigje ndaj sulmeve hibride”, tha ministri gjerman.

“Po ashpërsojmë kontrollet e hyrjes për shtetasit rusë dhe do të rrisim presionin ndaj flotës hije ruse”, shtoi ai.

Related Articles

Back to top button
Close
Close