
Juventusi ka arritur marrëveshjen për transferimin e Nick Woltemade nga Newcastle.
Sulmuesi gjerman do t’i bashkohet klubit italian në formën e huazimit deri në fund të sezonit.
Marrëveshja është finalizuar më pak se 24 orë para përfundimit të afatit kalimtar të verës. Juventus do të paguajë rreth 5 milionë euro për huazimin, ndërsa klubi italian do të mbulojë edhe pagën e plotë të 24-vjeçarit, që kap vlerën e rreth 4.4 milionë eurove.
Woltemade pritet të mbërrijë në Torino në orët në vijim, ku do t’i nënshtrohet testeve mjekësore dhe më pas do të firmosë kontratën me Juventusin.
Transferimi i sulmuesit gjerman u bë i mundur pas largimit të Jonathan David. Sulmuesi kanadez u largua nga Torino për t’iu bashkuar Atlético Madridit për sezonin 2026/27. Ai kalon te klubi spanjoll në huazim, me një opsion blerjeje të përcaktuar në rreth 25 milionë euro.
Negociatat mes Juventusit dhe Newcastle për Woltemade u zhvilluan me shpejtësi dhe u mbyllën brenda pak orësh. Klubi anglez pranoi largimin e sulmuesit pasi siguroi zëvendësuesin e tij, Matias Fernandez-Pardo, i cili pritet të transferohet nga Lille për rreth 55 milionë euro.
Woltemade ka zhvilluar gjithashtu disa biseda telefonike me trajnerin e Juventusit, Luciano Spalletti, dhe ka dhënë dakordësinë për transferimin në Torino.
Sulmuesi gjerman vjen te Juventusi pas një sezoni me Newcastle, ndërsa sezonin e kaluar me Stuttgart shënoi 17 gola në 33 paraqitje. Para transferimit te Newcastle, ai kishte zhvilluar pjesën më të madhe të karrierës në Gjermani.
Merkatoja e Juventusit mund të vijojë ende me lëvizje të tjera. Pas transferimit të Sarr, klubi italian po shqyrton edhe mundësinë e afrimit të mbrojtësit argjentinas Nicolás Tagliafico nga Lyon. Një transferim i tillë mund të lidhet me një largim të mundshëm të Juan Cabal drejt Atalantës.



