
Viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut nis me më pak nxënës, bashkim të paraleleve dhe mbyllje të përkohshme të 26 shkollave periferike. Në vend aktualisht ka 148 objekte shkollore pa nxënës, ndërsa në sistemin arsimor këtë vit do të ketë 433 paralele më pak.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëri të ditur se në sistemin arsimor aktualisht janë rreth 238 mijë nxënës – 174 mijë në arsimin fillor dhe 64 mijë në arsimin e mesëm.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, deri tani janë regjistruar 14.952 nxënës në klasën e parë dhe 16.932 nxënës në vitin e parë të arsimit të mesëm. Shifrat përfundimtare pritet të dihen pas përfundimit të afateve shtesë të regjistrimit.
Më pak nxënës, më pak paralele
Për shkak të rënies së numrit të nxënësve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës po zbaton optimizimin e paraleleve, që nënkupton bashkimin e paraleleve me numër të vogël nxënësish.
Sipas ministres Janevska, në disa shkolla prej vitesh kanë funksionuar dy paralele me vetëm nga dy nxënës të së njëjtës moshë. Me bashkimin e tyre, këtë vit numri i paraleleve do të ulet me 433, prej të cilave 222 në arsimin fillor dhe 211 në arsimin e mesëm.
Janevska e cilësoi këtë si një ndryshim pozitiv në interes të nxënësve dhe theksoi se asnjë mësues i punësuar me kohë të pacaktuar nuk ka humbur vendin e punës si pasojë e optimizimit.
Në vitin shkollor 2026/2027 pritet të ketë dukshëm më pak nxënës në krahasim me vitet e mëparshme. Pas përfundimit të regjistrimeve, numri i nxënësve të klasës së parë pritet të jetë të paktën 3.000 më i ulët se vitin e kaluar.
Mbyllen përkohësisht 26 shkolla periferike
Për shkak të mungesës së nxënësve, 26 shkolla periferike në zonat rurale do të mbyllen përkohësisht. Në disa prej tyre nuk është regjistruar asnjë nxënës i klasës së parë, ndërsa në të tjera mësimin e kanë ndjekur vetëm disa nxënës.
Nxënësit e këtyre shkollave do ta vazhdojnë mësimin në shkollat më të mëdha dhe më të afërta. Sipas ministres Janevska, numri i përgjithshëm i objekteve shkollore pa nxënës ka arritur në 148.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se vitin e kaluar në arsimin fillor të rregullt ishin regjistruar 174.040 nxënës, ndërsa në arsimin e mesëm 67.540, ose gjithsej 241.580 nxënës.
Në klasën e parë vitin e kaluar ishin regjistruar 17.921 nxënës. Në krahasim me këtë shifër, rreth 14.950 nxënës të regjistruar deri tani këtë vit tregojnë një rënie të ndjeshme, megjithëse numri përfundimtar do të dihet pas përfundimit të afatit shtesë të regjistrimit.
Zgjerohen kapacitetet e shkollave
Ministria e Arsimit dhe Qeveria, ndërkohë, vazhdojnë investimet në infrastrukturën arsimore dhe mbështesin komunat në vendosjen e mësimit vetëm në një ndërrim.
Sipas Janevskës, aktualisht po zgjerohen kapacitetet e 14 shkollave, kryesisht në komunat e Shkupit, ndërsa 15 projekte të tjera pritet të fillojnë të realizohen gradualisht gjatë muajve të ardhshëm.
Për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore janë angazhuar 1.358 asistentë arsimorë në arsimin fillor dhe 166 në arsimin e mesëm.
Për nxënësit që, për shkak të problemeve shëndetësore, qëndrojnë për një periudhë më të gjatë në spital ose në shtëpi, është mundësuar ndjekja e mësimit online ose puna individuale me mësues.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se tekstet shkollore janë shpërndarë me kohë dhe tashmë ndodhen në shkolla.
ISHP me rekomandime për fillim të sigurt të vitit shkollor
Në prag të fillimit të mësimit, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka dhënë rekomandime për nxënësit, prindërit dhe shkollat, me qëllim ruajtjen e shëndetit dhe parandalimin e përhapjes së infeksioneve.
ISHP-ja rekomandon larjen e rregullt dhe të duhur të duarve me ujë dhe sapun, për të paktën 20 sekonda, veçanërisht para ushqimit, pas përdorimit të tualetit dhe pas kthimit nga jashtë.
Rekomandohet gjithashtu ajrosja e rregullt e klasave, ruajtja e higjienës personale dhe të ambienteve, si dhe mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes.
Instituti këshillon që të mos ndahen sende personale, si shishet e ujit, pajisjet e ngrënies dhe sende të tjera përmes të cilave mund të transmetohen infeksionet. Po ashtu, theksohet rëndësia e vaksinimit në kohë, në përputhje me kalendarin e imunizimit.
Ulje të çmimeve të mjeteve shkollore deri më 30 shtator
Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Qeveria ka miratuar masa për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore, të cilat do të jenë në fuqi deri më 30 shtator 2026.
Sipas vendimit, tregtarët me shumicë duhet t’i ulin çmimet e mjeteve shkollore për të paktën 10 për qind, ndërsa tregtarët me pakicë duhet të sigurojnë ulje prej të paktën 15 për qind.
Masa përfshin një gamë të gjerë produktesh, ndër të tjera çanta shkolle, fletore, blloqe, lapsa, stilolapsa, ngjyra, markera, ngjitës, gërshërë, kompasë, kalkulatorë, dosje dhe materiale të tjera të nevojshme për fillimin e vitit shkollor.
Qëllimi i masës është lehtësimi i shpenzimeve të familjeve në periudhën kur tradicionalisht bëhen blerjet e mjeteve shkollore për nxënësit.



