
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot do të mbajë brifing me gazetarët, të parin pas pushimit të rregullt veror të deputetëve, në të cilin do të informojë për aktivitetet e ardhshme të Parlamentit.
Seanca e parë plenare pas pushimit të deputetëve tashmë është caktuar për të mërkurën, më 2 shtator. Në seancën e 121-të, në rend dite janë 53 pika, ndër të cilat emërimi i zëvendësguvernatorit të Bankës Popullore, ratifikime, propozim-ligji për raportimin dhe verifikimin e investimeve të huaja direkte (*), në lexim të parë, propozim-strategjia kombëtare për sigurinë e trafikut rrugor 2026–2030, si dhe ligje me procedurë të shkurtuar, kryesisht harmonizime me Ligjin e ri për drejtuesit e lartë.
Pas shënimit të Ditës së pavarësisë, më 8 shtator, është caktuar edhe një seancë e re për më 11 shtator, në të cilën, pas përcaktimit të rendit të ditës, do të vijojë parashtrimi i pyetjeve të opozitës.
Për momentin, në rendin e ditës të kësaj seance të 122-të janë vendosur gjashtë pika edhe atë Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për përfaqësimin e Republikës së Maqedonisë para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për veprimtaritë komunale, Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për ndërtim, Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transportin në trafikun rrugor, Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për inspektimin sanitar dhe shëndetësor, të gjitha me procedurë të shkurtuar, si dhe Propozim-ligji për revizionin shtetëror, në lexim të parë.
Javën e kaluar në Parlament tashmë janë mbajtur seanca të disa komisioneve, ndërsa deputetët kishin edhe aktivitete të tjera.
Pushimi veror i parlamentit çdo vit është në muajin gusht.



