
Shtetet e Bashkuara pritet të shtojnë presionin ekonomik ndaj Iranit, me sanksione të reja që mund të shpallen çdo javë.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se Uashingtoni do të godasë institucionet dhe kompanitë që vazhdojnë të kenë lidhje financiare me Iranin. “Do të shihni shumë më tepër nga kjo çdo javë”, tha Bessent në një intervistë për Reuters, përpara takimit të ministrave të Financave të G20.
Deklarata e tij vjen pasi SHBA vendosi sanksione ndaj degëve të Banque Misr në Emiratet e Bashkuara Arabe, për shkak të lidhjeve të dyshuara financiare me Iranin.
Sipas Bessent, masat mund të shkojnë deri në shkëputjen e plotë të institucioneve të caktuara nga sistemi financiar i bazuar në dollarin amerikan.
Sekretari amerikan i Thesarit tha se SHBA do t’u kërkojë ministrave të Financave dhe bankierëve qendrorë të G20 të ndërpresin lidhjet ekonomike me Iranin.
Në të kundërt, paralajmëroi ai, institucionet mund të përballen me sanksione dytësore. “Jeni ose me ne, ose me iranianët”, tha Bessent, duke e bërë të qartë qëndrimin e administratës amerikane.
Sipas tij, qëllimi është të parandalohet përdorimi i sistemit financiar ndërkombëtar për të financuar regjimin iranian. Bessent hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se sanksionet amerikane nuk do të funksionojnë pa vendosur masa ndaj kompanive kineze që blejnë naftë iraniane. Ai tha se shumica e blerjeve kineze të naftës nga Irani janë kufizuar nga masat amerikane ndaj porteve iraniane.
Sipas tij, edhe sasia e naftës iraniane të ruajtur në cisterna është në rënie. “Problemi është zgjidhur”, deklaroi Bessent, duke sinjalizuar se Uashingtoni beson se presioni ekonomik po jep rez ultat.
Me paralajmërimin për sanksione të reja çdo javë, SHBA duket se po synon të rrisë më tej koston ekonomike për Iranin dhe për institucionet ndërkombëtare që vazhdojnë të bashkëpunojnë me të.



