LajmeMaqedoniTopLajm

BDI: Pa bulevardin “Hasan Prishtina”, autostrada Shkup-Bllacë mbetet një lidhje e cunguar

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj vendimit për ridestinimin e mjeteve të siguruara për ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina”, i njohur edhe si Rruga e Kaçanikut, duke akuzuar koalicionin VLEN se po dëmton lidhjen infrastrukturore ndërmjet Shkupit dhe kufirit me Kosovën, përcjell gazeta KOHA.

Nga BDI-ja thonë se më 6 prill 2023, Qeveria e atëhershme kishte ndarë tetë milionë euro për këtë projekt. Sipas partisë, dy milionë euro ishin parashikuar për ndërtimin e rrethrrotullimit te semaforët në kryqëzimin me bulevardin “Slloveneçka”, ndërsa gjashtë milionë euro për vazhdimin e bulevardit “Hasan Prishtina” deri te qarkorja e Shkupit, ku do të lidhej me autostradën Shkup-Bllacë. Mjetet, siç theksohet, i ishin transferuar Qytetit të Shkupit.
Në reagim thuhet se projekti ishte pjesë e një zgjidhjeje të plotë infrastrukturore, e cila duhej të siguronte një hyrje moderne dhe funksionale në kryeqytet nga drejtimi i Kosovës.

“Autostrada Shkup-Bllacë nuk ka kuptim të plotë pa një hyrje moderne, funksionale dhe dinjitoze në Shkup nga drejtimi i Kosovës. Sot, e vetmja hyrje në Shkup që nuk ka formën e një bulevardi është pikërisht hyrja nga Kosova”, deklarojnë nga BDI-ja.

Sipas partisë, Qyteti i Shkupit e kishte hartuar projektin e bulevardit dhe kishte zhvilluar bisedime edhe me afaristët që veprojnë në zonën e Vizbegut. Për këtë arsye, nga BDI-ja pretendojnë se pushteti aktual nuk kishte nevojë të përgatiste projekt të ri, por vetëm të vazhdonte realizimin e projektit ekzistues.

BDI-ja akuzon VLEN-in se, në vend që t’i përdorë mjetet për këtë projekt, po lejon ridestinimin e tyre për një projekt tjetër në qendër të Shkupit. Sipas partisë, ky vendim dëshmon mungesë vizioni dhe kapaciteti për realizimin e projekteve strategjike.

Në reagim përmendet edhe autostrada Shkup-Bllacë. BDI-ja pretendon se projektin e kishte lënë të përgatitur për realizim, ndërsa pushteti aktual e ka vonuar për dy vjet e gjysmë dhe e ka shtrenjtuar për më shumë se 30 milionë euro.

“Nuk mund të flitet për autostradën Shkup-Bllacë, ndërkohë që largohen mjetet për rrugën që duhet ta lidhë atë drejtpërdrejt me Shkupin. Autostrada pa bulevardin ‘Hasan Prishtina’ është një lidhje e cunguar”, theksohet në reagim.

BDI-ja vlerëson se kishte projektuar dhe buxhetuar të gjithë lidhjen rrugore, nga kufiri me Kosovën deri në Shkup, ndërsa akuzon VLEN-in se po i vonon, shtrenjton dhe dëmton edhe projektet që i ka gjetur të gatshme.

Related Articles

Back to top button
Close
Close