LajmeSport

“Jetimët” e La Masias/ Talentet e Barcelonës që humbën rrugën, nga lojtarë premtues në dështime të mëdha

Gjatë merkatos së fundit është rikthyer në qendër të vëmendjes rëndësia e akademive në zhvillimin e klubeve të mëdha. Pyetja që shtrohet është e njëjtë: a duhet klubet t’u besojnë talenteve të akademisë apo t’i shesin në momentin kur marrin oferta të mëdha

Barcelona është një prej klubeve që e ka ndërtuar historinë e saj mbi La Masia, një prej akademive më të njohura të futbollit botëror. Nga aty kanë dalë emra si Lamine Yamal, Pau Cubarsí, Gavi, Fermín López, Gerard Martín dhe Marc Bernal, të cilët kanë marrë ose po kërkojnë vendin e tyre në ekipin e parë.

Por jo të gjithë talentet e La Masias kanë pasur të njëjtin fat. Reputacioni i akademisë katalanase krijon pritshmëri jashtëzakonisht të larta. Çdo disa vite, një talent i ri cilësohet si “ylli i ardhshëm” i Barcelonës. Megjithatë, përveç rasteve të veçanta si Lamine Yamal apo Cubarsí, shumë prej lojtarëve që u afruan me ekipin e parë nuk arritën të shndërroheshin në yjet që priteshin.

Marc Guiu, talenti që zgjodhi Chelsean

Një prej shembujve më të fundit është Marc Guiu. Sulmuesi shpërtheu te Barcelona nën drejtimin e Xavit dhe dukej se kishte përpara një të ardhme të madhe në “Camp Nou”.

Megjithatë, ai pranoi ofertën e Chelsea-t dhe u largua nga Barcelona. Tre vite më vonë, sulmuesi vazhdon të jetë nën kontratë me klubin londinez, por aktualisht nuk ka një vend të garantuar në ekipin e parë.

Ansu Fati, nga “pasardhësi i Messit” te largimi

Rasti i Ansu Fatit është ndoshta një prej zhgënjimeve më të mëdha të viteve të fundit. Sulmuesi u shfaq në skenë si një prej talenteve më të mëdha të futbollit botëror dhe në Barcelonë u pa si pasardhësi i Lionel Messit. Por dëmtimet e shumta, veçanërisht problemi serioz në gju, ndryshuan gjithçka.

Pas një huazimi te Brighton, Fati u rikthye në Barcelonë dhe mori një tjetër mundësi nga Hansi Flick. Megjithatë, klubi në fund vendosi t’i japë fund aventurës së tij dhe ai u transferua te Monaco.

Ilaix Moriba, rruga e shpejtë që u kthye në labirint

Ilaix Moriba shpërtheu në ekipin e parë të Barcelonës në një moment kur skuadra kishte shumë mungesa. Mesfushori nga Guinea tregoi menjëherë potencial të madh, por vendosi të largohej drejt RB Leipzig në kërkim të një rruge të shpejtë drejt elitës.

Por ajo rrugë nuk shkoi sipas parashikimeve. Moriba luajti në Leipzig, Valencia, Getafe dhe më pas te Celta Vigo, duke kaluar pjesën më të madhe të viteve të fundit në huazime.

Carles Aleñá, një tjetër talent i humbur

Carles Aleñá ishte një prej talenteve më të vlerësuar të brezit të tij te La Masia. Ai u konsiderua si një prej lojtarëve që mund të kishte një të ardhme të rëndësishme në ekipin e parë.

Pas një huazimi, Aleñá u largua përfundimisht nga Barcelona dhe u transferua te Getafe. Aktualisht, mesfushori luan për Alavés.

Deulofeu, talenti që nuk u konsolidua kurrë

Gerard Deulofeu ishte një tjetër emër që në akademinë e Barcelonës shihej si një nga “të zgjedhurit” për të ardhmen.

Sulmuesi shkëlqeu në ekipet e moshave, por nuk arriti të konsolidohej në ekipin e parë. Më pas nisi një seri huazimesh dhe transferimesh që e çuan te Everton, Sevilla, Milan, Ëatford dhe Udinese. Sot, Deulofeu është pa klub.

Halilovic, pritshmëritë që nuk u përmbushën

Një histori tjetër është ajo e Alen Halilovic, i cili mbërriti te Barcelona B nga Dinamo Zagreb për rreth 5 milionë euro dhe me pritshmëri të mëdha.

Por kroati nuk arriti të përmbushte potencialin që i atribuohej. Pas disa huazimeve, ai u largua nga Barcelona dhe nisi një karrierë në disa klube evropiane. Në moshën 30-vjeçare, Halilovic ka luajtur për më shumë se dhjetë skuadra.

Riqui Puig, talenti që kërkoi një tjetër rrugë

Riqui Puig ishte një prej lojtarëve që ngjalli më shumë entuziazëm te tifozët e Barcelonës. Mesfushori arriti të luante për ekipin e parë, por nuk arriti të bëhej një titullar i padiskutueshëm.

Në fund, Puig vendosi të largohej drejt MLS-së, ku iu bashkua LA Galaxy. Tashmë ai përgatitet të nisë sezonin e tij të katërt në SHBA.

Lista e talenteve të La Masias që nuk arritën të shndërroheshin në yjet që priteshin është edhe më e gjatë. Emra si Adama Traoré, Isaac Cuenca, Cristian Tello, Héctor Bellerín, Sergi Samper, Martín Montoya dhe Munir El Haddadi janë shembuj të tjerë të futbollistëve që patën karriera të rëndësishme, por nuk arritën nivelin e pritshmërive që kishin mbi supe në vitet e para.

La Masia vazhdon të prodhojë talente, por rruga nga akademia drejt majës së futbollit është e gjatë dhe e vështirë. Për çdo Lamine Yamal apo Cubarsí që arrin të shpërthejë, ka shumë të tjerë që humbasin rrugës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close