LajmeMaqedoniTopLajm

ASH: E ardhmja e maturantëve nuk është tere për eksperimente administrative

Maturantët nuk janë të dhëna statistikore në një bazë Excel-i. Nuk janë as subjekte të një eksperimenti administrativ të kryer nga MASH-i mbi kurrizin e tyre.

Janë qytetarë të rinj, me të drejta të qarta. Kanë një të ardhme që varet drejtpërdrejt nga funksionimi i një sistemi që ka detyrim ligjor dhe moral të jetë i qartë, i parashikueshëm dhe i drejtë.

Parimi është i thjeshtë.Nëse një kandidat nuk plotëson kushtet për regjistrim në një program të caktuar, sistemi duhet ta ndalojë këtë që në fazën e aplikimit. Nuk duhet ta lejojë procesin të vazhdojë deri në fund për t’i thënë më pas se gjithçka ka qenë e kotë. Pranimi i aplikimit, i dokumentacionit dhe i pagesave, i ndjekur nga një refuzim i vonuar, nuk është problem teknik por është një dështim në qeverisjen e institucionit, me pasoja të drejtpërdrejta për jetën e njerëzve.

Rregullat e maturës profesionale kanë qenë të njohura prej disa muajve. Kjo do të thotë se çdo paqartësi, çdo mospërputhje apo çdo keqkuptim i deklaruar tani nuk vjen nga mungesa e njohjes, por nga mungesa e përgatitjes institucionale.

Ky është një dështim që ka mundur dhe duhej të parandalohej para se të fillonte procesi i aplikimeve. Nëse kandidatëve i’u është lejuar aplikimi, i’u pranohen dokumentet dhe presin rezultate që në fund rezultojnë të pavlefshme, në fubs i’u thuhet se nuk kanë të drejtë regjistrimj atëherë dikush duhet të mbajë përgjegjësi sepse kjo nënkupton shkelje të parimit të besimit legjitim ndaj administratës publike.

Kur ndodhin shkelje të tilla, doemos duhet të ketë edhe llogaridhënie. Shpjegimet e përgjithshme pas faktit të kryer nuk mjaftojnë. Kjo llogaridhënie i detyrohet çdo maturanti të orientuar gabimisht, çdo afati të humbur për faj të papërgjegjësisë, çdo pagese të bërë për një proces që nuk prodhoi rezultatin e pritur.

Çdo familje sot jeton në pasiguri, jo sepse fëmija i tyre është fajtor, por sepse institucionet nuk funksionojnë.
Në këtë kontekst, heshtja e VLEN-it si partner qeverisës është e pajustifikueshmë dhe e papranueshme. Të jesh pjesë e strukturave të pushtetit nuk mjafton nëse mungon prania e vërtetë pikërisht kur qytetarët përballen me pasojat e neglizhencës institucionale.

Legjitimiteti politik matet jo me pjesëmarrje formale në qeverisje, por me pjesëmarrje aktive në vendimarrje dhe me gatishmërinë për t’u përgjigjur kur interesat e qytetarëve preken drejtpërdrejt.

MASH-i ka detyrim të menjëhershëm për transparencë të plotë publike. Duhet të shpjegojë saktësish çfarë ka ndodhur, të japë numrin konkret të kandidatëve të prekur dhe të propozojë një zgjidhje reale, të zbatueshme dhe të drejtë. Nuk mjaftojnë deklarata të përgjithshme që zbusin krizën në sipërfaqe pa e adresuar në thelb. E ardhmja e brezit të ri nuk është një vend për eksperimente. Është një përgjegjësi e institucioneve që nuk duhet të lejojnë vonesa apo heshtje.

Related Articles

Back to top button
Close
Close