
VLEN në vitin 2024 u bë pjesë e kësaj qeverie me premtimin se brenda gjashtë muajsh do të realizojë ndryshimet kushtetuese bashkë me partnerin e tyre qeverisës VMRO-DPMNE-në me çka do të debllokonin procesin eurointegrues të vendit si dhe do të mundësonin hapjen e negociatave.
Në këto dy vite qeverisje VMRO-VLEN, njëri ndër premtimet kryesore që në fushatë elektorale e kishin prioritet që ishte integrimi i vendit në Bashkimin Evropian është zëvendësuar me arsyetime dhe justifikime të njëpasnjëshme, heshtje, mungesë besimi, mungesë presioni ndaj partnerit qeveritar për realizimin e këtij premtimi si dhe mungesë marrëveshjeje politike.
Në VLEN ishin më se të vetëdijshëm që nevojiteshin 80 vota për ndryshimet kushtetuese dhe në rradhë të parë bindjen e partnerit qeverisës që kur e dhanë premtimin para qytetarëve, por megjithatë vendosi një afat që edhe vet ata e dinin se ishte e pamundur të realizohej ky premtim brenda afati kohor prej gjashtë muajsh.
Në ndërkohë, partneri qeverisës VMRO-DPMNE ka vendosur kusht shtesë garanci paraprake duke e bllokuar kështu edhe më tej procesin.
Kështuqë, VLEN aktualisht gjendet i kapur mes premtimit të vet të pambajtur dhe kushteve të reja të partnerit, ndërsa Brukseli mbetet i palëkundur në qëndrimin e tyre se pa ndryshimet kushtetuese, nuk ka negociata.
Sot rezultati i kësaj qeverie sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimim Evropian është ky, dy vite humbura, një premtim i harruar, dhe një proces eurointegrues i ngrirë nga vetë ata që thoshin se do ta përshpejtonin.



