LajmeTeknologji

Facebook dhe Instagram bllokohen natën, ndalohen pëlqimet e filtrat për adoleshentët! Ndryshimet që pranoi Meta të zbatojë

Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, ka rënë dakord të paguajë deri në 17.1 miliardë dollarë për të zgjidhur padinë e ngritur nga shtetet amerikane, të cilat akuzuan platformat se kanë dëmtuar fëmijët. Pagesa do të shpërndahet në këste vjetore gjatë një periudhe 10-vjeçare, shkruan BBC.

Dy kushtet

Kompania thotë se këto fonde mund të përdoren për të financuar iniciativa për sigurinë online të të rinjve, si dhe prioritete të tjera të shteteve

Shtetet që morën pjesë në padinë kundër Meta-s do të përfitojnë rreth 70% të shumës, ose afërsisht 12.7 miliardë dollarë, gjatë dekadës së ardhshme. Pjesa e mbetur prej 30% do të shpërndahet vetëm nëse plotësohen dy kushte specifike.

YouTube dhe TikTok, të cilat nuk janë në pronësi të Meta-s, të zbatojnë një kufi ditor prej një ore përdorimi, modalitet nate dhe masa për verifikimin e moshës së përdoruesve.
YouTube dhe TikTok të paguajnë secila një shumë të barabartë me këtë 30%, ku gjysma e fondeve të mbetura lidhet me pagesën e YouTube dhe gjysma tjetër me pagesën e TikTok.

Meta ka bërë të ditur gjithashtu se pret të regjistrojë një shpenzim ligjor prej rreth 10 miliardë dollarësh (7.3 miliardë paund) në tremujorin e tretë të këtij viti, si pasojë e kësaj marrëveshjeje.

“Marrëveshja është projektuar për të nxitur miratimin e këtyre masave në të gjithë industrinë, duke siguruar që adoleshentët të kenë mbrojtje të njëjta në aplikacionet që përdorin më shumë, si YouTube dhe TikTok”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Si mund të ndryshojnë Instagram dhe Facebook?

Si pjesë e marrëveshjes, Meta ka pranuar të zbatojë një sërë ndryshimesh, megjithëse mënyra e funksionimit të tyre nuk është ende plotësisht e qartë.

Një nga ndryshimet parashikon që videot të mos hapen automatikisht, ndërsa një cilësim i ri i parazgjedhur do të bëjë që përmbajtja e shfaqur të mos personalizohet sipas interesave të përdoruesit. Megjithatë, në të dy rastet, këto funksione mund të aktivizohen ose çaktivizohen nga vetë adoleshentët, ndërsa prindërit do të kenë mundësinë të marrin kontrollin e këtyre cilësimeve në llogaritë e fëmijëve të tyre.

Po ashtu, si parazgjedhje, adoleshentët nuk do të shohin numrin e pëlqimeve dhe reagimeve në postime, një ndryshim që pritet të kërkojë përshtatje teknike nga ana e Meta-s.

Ndryshimet më të rëndësishme lidhen me vendosjen e një kufiri ditor prej dy orësh për përdorimin e aplikacioneve nga adoleshentët dhe bllokimin e aksesit nga mesnata deri në orën 06:00 të mëngjesit. Ende nuk dihet saktësisht se si do të funksionojnë këto kufizime në praktikë. Nuk është e qartë nëse aplikacioni do të ndalojë së hapuri, do të shfaqë një ekran bosh apo një mesazh që u kërkon përdoruesve të provojnë përsëri më vonë.

Lista e ndryshimeve

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Kalifornisë, një prej shteteve që kishte ngritur padi ndaj kompanisë, marrëveshja përfshin këto masa:

– Kufi ditor prej dy orësh përdorim, për përdoruesit nën 18 vjeç, i cili mund të hiqet vetëm nga prindi.
– Bllokim automatik gjatë natës, nga mesnata deri në orën 06:00, për përdoruesit nën 18 vjeç, i cili mund të hiqet vetëm nga prindi.
– Çaktivizim automatik i njoftimeve për përdoruesit nën 18 vjeç nga ora 22:00 deri në 07:00, si dhe gjatë orarit të mësimit.
– Mekanizëm i përmirësuar që u mundëson adoleshentëve të raportojnë përmbajtje potencialisht të dëmshme, ndërsa Meta do të duhet t’i përgjigjet 90% të këtyre raportimeve brenda gjashtë orësh.
– Ndalimi i shfaqjes së numrit të pëlqimeve dhe reagimeve për përdoruesit nën 18 vjeç.
– Ndalimi i filtrave që simulojnë procedura kozmetike për përdoruesit nën 18 vjeç.
– Mundësia që përdoruesit nën 18 vjeç të zgjedhin një fluks përmbajtjesh të personalizuar, në vend të atij të bazuar në interesat dhe sjelljen e tyre.
– Përmirësimi i mjeteve të kontrollit dhe mbikëqyrjes nga prindërit.

Sa i përket zbatimit, Meta ka rënë dakord:

– Të vendosë mekanizma të avancuar për verifikimin e moshës, për të identifikuar përdoruesit nën 18 vjeç, si dhe masa për identifikimin dhe largimin e përdoruesve nën 13 vjeç.
– Të angazhojë një auditor të pavarur, i cili do të ketë akses të gjerë në informacionet dhe burimet e kompanisë.
– T’i nënshtrohet një urdhri gjyqësor që e ndalon kompaninë të bëjë deklarata të tjera ‘të rreme, mashtruese ose çorientuese’ lidhur me funksionet e saj të sigurisë

Related Articles

Back to top button
Close
Close