AI po ndryshon botën e lojërave: Dialogë të rinj dhe përvoja ndryshe sa herë luan

Nga Wolf von Dewitz, dpa
“Dikur isha aventurier si ti, pastaj mora një shigjetë në gju.“ Roja në lojën e vjetër me role “Skyrim“ thoshte gjithmonë të njëjtën gjë. Sot, gjërat ndoshta do të ishin ndryshe falë AI-së.
Inteligjenca artificiale (AI) ka hyrë në botën e lojërave si në zhvillimin e lojërave, ku po përshpejton proceset e punës, ashtu edhe në vetë përvojën e të luajturit.
Nga shoqëruesit e kontrolluar nga AI në lojërat me qitje deri te botët e lojërave të krijuara nga përdoruesit, inteligjenca artificiale po transformon përvojën e lojërave dhe po ngre pyetje lidhur me vendet e punës në këtë industri.
Ky zhvillim po shkakton “një ndjesi shqetësimi“ te punonjësit dhe profesionistët e pavarur, thotë Petra Fröhlich, gazetare dhe themeluese e një reviste për industrinë e lojërave në Gjermani.
“Dizajnerët grafikë, përkthyesit dhe profesionistët e marketingut po pyesin veten nëse do të nevojiten ende pas një viti apo nëse AI-ja do t’ua ketë marrë vendet e punës.“
AI-ja po ndryshon gjithashtu mënyrën se si luhen lojërat. Disa tituj tani kanë lojtarë dhe kundërshtarë të tjerë të kontrolluar nga modelet e AI-së. Në disa lojëra aksion, protagonistit i jepet një shoqërues i kontrolluar nga AI-ja, të cilit mund t’i jepen komanda përmes mikrofonit si, për shembull, në lojën me qitje “PUBG: Battlegrounds“.
Asistenti i AI-së nuk ndjek blloqe të paracaktuara, por përshtatet me sjelljen e lojtarit njerëzor. Nëse protagonisti ka treguar gjatë lojës një preferencë për një pushkë sulmi, shoqëruesi i AI-së do të kërkojë një pushkë sulmi ose municion për të, pa iu thënë shprehimisht ta bëjë këtë.
“Nuk merr të njëjtat përgjigje çdo herë, por përgjigje individuale dhe, për rrjedhojë, më të përshtatshme përvoja e lojës është më autentike dhe tërheqëse, jo më aq uniforme sa dikur“, thotë ekspertja e lojërave Fröhlich.
Lojëra më pak të parashikueshme
AI-ja kontrollon gjithashtu personazhet në lojërat me role dhe lojërat sportive, gjë që është veçanërisht interesante për lojërat online me shumë lojtarë, thotë ajo. “Nëse një lojë aksion fantastike ka nevojë për 100 personazhe, qasja e mëparshme ishte të prisje derisa 100 njerëz të hynin në lojë.“
Tani lojërat mund të fillojnë me më pak lojtarë njerëzorë, pasi personazhet e mbetur merren nën kontroll nga AI-ja, pa e vënë re lojtarët njerëzorë duke reduktuar kohën e pritjes përpara fillimit të një loje.
Lojtarët duket se po reagojnë pozitivisht ndaj përmirësimeve të sjella nga AI-ja, sipas një sondazhi të fundit me lojtarë, të kryer nga shoqata gjermane e teknologjisë së informacionit Bitkom. Në sondazh, 65% thanë se botët dhe personazhet e lojërave u duken më realistë falë AI-së.
Pak më shumë se gjysma thanë se përvoja e tyre e lojërave ishte bërë më e personalizuar me AI-në dhe se preferonin të luanin kundër kundërshtarëve të kontrolluar nga AI-ja, në vend të njerëzve.
Një AI që analizon sjelljen e vetë lojtarit e bën një lojë më pak të parashikueshme dhe më emocionuese, thotë Fröhlich. “Nxitja për të vazhduar të luash rritet dhe lojtarët qëndrojnë të angazhuar për më gjatë.“
Për lojërat me një lojtar, ajo e sheh gjithashtu si pozitive faktin që AI-ja mund të njohë nivelin e aftësive të lojtarit njerëzor dhe të përshtatë në përputhje me rrethanat vështirësinë e kundërshtarëve duke shmangur situatat në të cilat lojtari njerëzor është shumë i fortë ose shumë i dobët dhe e braktis shpejt lojën nga mërzia ose zhgënjimi.
Zhvillimi i lojërave në shtëpi me AI
AI-ja luan rol edhe në një tjetër trend të lojërave: përmbajtjen e krijuar nga përdoruesit (UGC), ku lojtarët krijojnë botët e tyre të lojërave si kapituj shtesë në platformën Roblox ose brenda universit Fortnite ose zhvillojnë lojëra krejtësisht të reja.
“Mund të përdorësh lehtësisht prompt-e dhe ta lësh imagjinatën të lirë“, thotë Fröhlich.
Për momentin, lojërat e krijuara nga individë privatë janë ende relativisht të thjeshta, por ato po bëhen më komplekse. Me kalimin e kohës, ofruesit komercialë të lojërave të thjeshta për celularë për shembull, lojërat me enigma, Tetris ose lojërat e kujtesës do ta ndiejnë ndikimin e këtij zhvillimi.
“Tregu do të përmbytet me lojëra falas kjo ka të ngjarë t’ua vështirësojë gjërat disa studiove.“



