
Khalid Sheikh Mohammed, i akuzuari kryesor për organizimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, pritet të dalë në gjyq në qershor të vitit 2028, raportojnë mediat amerikane.
Khalid Sheikh Mohammed konsiderohej një nga figurat kryesore të organizatës terroriste al-Kaeda përpara arrestimit të tij në Pakistan, në mars 2003.
Në korrik 2025, një gjykatë apeli amerikane rrëzoi një marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila do t’i lejonte Mohammed dhe dy të burgosurve të tjerë të shmangnin dënimin me vdekje në këmbim të pranimit të fajësisë.
Guantanamo, simbol i debatit për të drejtat e njeriut
Burgu i Guantanamos, i ngritur në një bazë të Marinës Amerikane në territorin kubanez të marrë me qira nga Shtetet e Bashkuara, u hap pas sulmeve të 11 shtatorit me urdhër të presidentit të atëhershëm George W. Bush.
Në kulmin e funksionimit të tij, në qendrën e paraburgimit mbaheshin rreth 800 persona të dyshuar për terrorizëm. Sot aty kanë mbetur vetëm pak të burgosur.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë kërkuar prej vitesh mbylljen e Guantanamos, duke e cilësuar qendrën si një simbol të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Pavarësisht polemikave të shumta, burgu vazhdon të funksionojë dhe çështja e Khalid Sheikh Mohammed mbetet një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore të lidhura me sulmet e 11 shtatorit.



